Ballina Politikë Skema 178 milionë euro e Ramës me Ahmetajn dhe taksa e re...

Skema 178 milionë euro e Ramës me Ahmetajn dhe taksa e re e plehrave

Partia Demokratike ka denoncuar dje me fakte dhe me dokumente zyrtare skandalin e radhës të qeverisë Rama, taksën e plehrave. Me anë të një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Mjedisin në PD, Jamarbër Malltezi, denoncoi taksën e padëgjuar të Ramës.
“Më 23 nëntor 2017 Edi Rama u ka vendosur shqiptarëve një taksë të re, të padëgjuar kurrë më parë, taksën e plehrave, taksë e cila do të hyjë në xhepat e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt nëpërmjet vënies në punë të fabrikave të djegies së plehrave në Tiranë, Fier dhe Elbasan.
“Taksa” nuk është një term i shpikur nga Partia Demokratike për të akuzuar qeverinë, por është shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin e miratuar më 23 nëntor nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, me kryetar njërin nga pronarët e vërtetë të 3 inceneratorëve, ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
Ja të nderuar shqiptarë vendimi Nr. 77, datë 23 nëntor 2017 i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, ku thuhet qartë se, bizneset që do të gjenerojnë energji nga plehrat do të marrin ndihmë shtetërore për të paktën 15 vjet”, tha Malltezi.
Pra, theksoi ai, nuk ndihmohet prodhimi i energjisë së pastër, energjisë diellore apo të erës, por ndihmohet nga shteti energjia e prodhuar nga fabrikat e plehrave të Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës.
“Ja, edhe pika 10 ku thuhet se, “Skema financohet nga një “taksë”, e ashtuquajtura detyrim i shërbimit publik (ndaj Operatorit të Shpërndarjes), të cilit i është ngarkuar detyrimi për blerjen e energjisë nga prodhuesit e energjise prej pjesës së biodegradueshme të mbetjeve të ngurta dhe më pas për ta ofruar dhe shitur në treg”.
Çfarë do të thotë kjo me fjalë më të thjeshta dhe më të kuptueshme?
Kjo do të thotë se, skema financohet me taksën që detyron OSHEE-në të blejë energjinë e prodhuar nga inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt me çmimin që do të përcaktojë po Edi Rama dhe Arben Ahmetaj në Entin Rregullator të Energjisë.
Kjo do të thotë se, jo vetëm që Rama dhe Ahmetaj po marrin 178 milionë euro nga taksat tona për 3 inceneratorët që do të djegin plehra dhe do të lëshojnë helme në ajër, por ata kanë vendosur “taksën e plehrave”, që të shesin energjinë e prodhuar nga inceneratorët dhe të vazhdojnë të pasurohen për vete!
Nuk ka ndihmë shtetërore as për të përmbyturit, as për naftëtarët, as për të përndjekurit politikë, as për ish-pronarët, as për të papunët, as për kryefamiljarët që nuk ushqejnë dot fëmijët, as për të rinjtë që braktisin vendin. Ndihmë ka vetëm për inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt.
Afera e inceneratorëve është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama. Nga tre kontratat klienteliste të inceneratorëve, vetëm ajo e Elbasanit është bërë publike”, tha Malltezi.
Partia Demokratike faktoi me dokumenta sesi korrupsioni detyron qeverinë të kryejë brenda 24 orëve 9 procedura të komplikuara, të cilat marrin zakonisht disa muaj.
“Kontratat e djegësave të Fierit dhe Tiranës nuk janë botuar as në Buletinin e Agjensisë së Prokurimeve Publike dhe as në Fletoren Zyrtare.
Këto përbëjnë vepra penale, sepse shteti po nxjerr 74 milionë euro para publike në vit, pa botuar fare kontratat, duke i konsideruar si sekret shtetëror!
Në një vend ku drejtësia nuk kontrollohet nga kryeministri, kjo dosje do të përbënte prioritet të Prokurorisë. Por në këtë vend ku është prishur busulla morale, peshku i madh po peshkon peshkatarët!
Partia Demokratike inkurajon mediat të mos heshtin, të mos bëhen palë me ata që shkatërrojnë shëndetin e shqiptarëve, të mos lejojnë që milionat e inceneratorëve të djegin integritetin e medias dhe të helmojnë burimin e informacionit për shqiptarët.
Partia Demokratike fton qytetarët të bashkohen me opozitën në 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes që nuk mendon për shëndetin tonë, por për pasurimin e kryeministrit dhe një grusht njerëzish rreth tij.
Së bashku, në 27 janar ne mund t’ia dalim! », tha Malltezi.

Exit mobile version