Paralajmërimi i studentëve: Përshkallëzim protestave

Pamundësia ekonomike për të përballuar tarifën vjetore të studimeve, nxorri në protestë studentë të universiteteve publike. Marshimin e nisën nga Korpusi Universitar për të ndaluar para Kryeministrisë, ku i parashtruan katër kërkesa kreut të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit. “Situata e vështirë ekonomike e mijëra studentëve të universiteteve publike, si dhe pamundësimi çdo ditë e më tepër i të drejtës për t’u arsimuar përmes vendosjes së kritereve të padrejta monetare kërkon të reagojmë njëzëri. Ndjekja e studimeve universitare nuk mund të jenë privilegj i më të pasurve. Si e drejtë i duhet garantuar çdo studenti që plotëson kriteret meritore.
Prandaj, sot jemi mbledhur përpara Kryeministrisë për të shembur me zërat tanë të bashkuar muret e heshtjes dhe të privilegjeve. Tarifat studimore duhen përgjysmuar në të gjitha nivelet dhe degët e studimeve si një hap i parë i heqjes së diskriminimit ekonomik. Të gjitha gjobat dhe haraçet e tjera për të vazhduar studimet, si detyrimi për të paguar institucione private për çertifikimin e gjuhës së huaj apo pagimi i dyfishtë i krediteve për provimet e mbartura, duhen hequr sa më parë.
Po kështu, një tjetër motiv dhe kërkesë e kësaj proteste, është qëndrimi në godinën e tij historike të Fakultetit të Gjeologji Minierave, që rrezikon të kthehet në pallat të njerëzve të padrejtësisë. Bashkimi bën fuqinë. Bashkimi studentor prodhon fuqi aq të madhe, saqë jo vetëm mund t’u japë fund padrejtësive në Arsimin e Lartë, por edhe të krijojë infrastrukturën e shpresës për një shoqëri më të drejtë. Studentë bashkohemi! U bëjmë thirrje të gjithë pedagogëve e qytetarëve të ndërgjegjshëm të solidarizohen me kauzën e të drejtës për arsim. Bashkohuni me studentët!”
“Përgjysmimin e tarifave të studimit në të gjitha programet dhe nivelet e universiteteve publike. Heqjen e të gjitha detyrimeve financiare për mbrojtjen e gjuhës së huaj si kriter i nisjes dhe përfundimit të studimeve master. Heqjen e dyfishimit të tarifës për kreditë që nuk i përfundojnë në kohë studimet master”.
Klejda, studente në vitin e tretë thotë se është e detyruar që çdo vit të marrë kredi konsumatore për të përballuar tarifën prej 30 mijë lekësh.
“Çdo janar ia kemi dalë me kredi konsumatore, kushte dhe libra nuk kemi”.
Fatjoni, me prindër invalid këtë vit duhet ta paguajë të plotë tarifën e studimeve, teksa thotë se gjendja e vështirë ekonomike mund ta detyrojë të ndërpresë studimet. “Tarifa që paguaj është 1.5 mln për dy vite”
Studentët paralajmëruan se nësë kërkesat e tyre nuk do të përmbushen ata do të përshkallëzojnë protestat. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit për të cilën tarifat nuk kanë pësuar rritje prej 4 vitesh, teksa theksoi se tarifat vendosen nga Universitetet dhe jo nga qeveria.
Kërkesta e studentëve:
1. Përgjysmimin e tarifave në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve
2. Heqjen e barrës financiare për çertifikimin e gjuhës së huaj
3. Heqjen e pagesës dyfish për kreditet nga provimet e mbartura
4. Të mos zhvendosen studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave nga godina aktuale, ku mendohet të ndërtohet Gjykata e Lartë
Pas protestës do të dorëzojnë një peticion me mijëra firma të mbledhura, duke i kërkuar qeverisë heqjen e diskriminimit ekonomik. Protesta paqësore është paralajmëruar disa ditë më parë dhe ka nisur nga Sheshi “Nënë Tereza” drejt Kryeministrisë.
Me tarifat më të larta në Europë për arsimin
Protesta e studentëve kundër tarifave të larta të studimeve në universitetet shtetërore ka rikthyer vëmendjen ndryshimet që solli reforma e Arsimit të Lartë. Ligji i miratuar mes protestave të studentëve dhe kundërshtimit të opozitës, në verën e 2015-ës, ka rritur ndjeshëm, deri në dyfishim tarifat e studimeve, veçanërisht ato të nivelit master. Eksperti i Institutit të Studimeve Politike, Rigels Xhemollari në një raport për APPA, shpjegon rritjen e tarifave dhe krahasimin e tyre me tarifat e universiteteve evropiane:
“Të përkthyera në euro, tarifat për studimin në master shkojnë nga 1500 euro në vit në Durrës dhe Vlorë deri në 2400 euro viti në Tiranë (Universiteti i Arteve). Paralelisht me ne në vendet e BE, ku me të drejtë edhe politika shqiptare synon të na anëtarësojë, tarifat vjetore të studimeve në master pranë universiteteve publike shkojnë nga 100 deri në 600 euro më e larta. Madje nuk duhet lënë pa përmendur rasti i Gjermanisë ku studimet janë falas apo i Danimarkës ku shteti të mbështet financiarisht studentin nëse vendos të studiojë në programin master.
Para disa muajsh, duke diskutuar rëndësinë e Reformës në Drejtësi Kryeministri përmendi se në konkursin e Shkollës së Magjistraturës, favorizohen ata që kanë mbaruar në universitetet perëndimore, pasi universitetet tona janë ende ta pa-akredituara dhe nuk kemi me çfarë t’i krahasojmë në rajon apo në BE. Deri-diku mund të jetë e drejtë pavarësisht se kusht penalizues për studentët e shkëlqyer shqiptarë të Drejtësisë, por si është e mundur që tregohet ky inferioritet ndaj universiteteve perëndimore dhe tarifat e studimit janë 5-fish më të larta se ata?! Një qeveri patriote dhe e ndërgjegjshme nuk ndërmerr të tilla politika antikombëtare, të cilat nxisin studentët shqiptarë të braktisin universitetet shqiptare apo ato publike, duke dhënë një kontribut në largimin e trurit nga Shqipëria. Një qeveri e përgjegjshme dhe që bazohet në statistikat e sakta nuk i detyron familjet shqiptare të paguajnë 5-fishin e tarifave evropiane, duke ditur që pagat tona janë 5-fish më të ulëta se ato të banorëve të BE, vetëm për hir të suksesit të një reforme. Dhe për më tepër ashtu siç e ka zakon politika shqiptare, zgjodhi muajin gusht për të miratuar këto tarifa antikombëtare që të parandalojë edhe ndonjë grimcë protestë studentore që mund të lindte si pasojë”.
Në korrik 2016, MAS përcaktoi mesataren përjashtuese për maturantët, kriter, i cili përveç se penalizoi nxënësit e shkollave më të mira i hapi rrugën trafikut të studentëve tek universitetet private. Po e ilustroj me shembullin e Universitetit të Mjekësisë, ku ky i fundit ka përcaktuar notën mesatare përjashtuese 8.5, ndërsa tre universitetet që ofrojnë degët e preferuara të mjekësisë kanë lënë mesataren e VKM, pra notën 6. Kjo diferencë shpjegon faktin që të gjithë ata që kanë dëshirë për të studiuar për mjekësi, por për shkak se kanë dalë nga shkolla cilësore nuk kanë mundur të nxjerrin mesataren 8.5, përjashtohen nga universiteti publik dhe do t’i drejtohen rrjedhimisht atij privat, pasi tarifat nuk kanë ndonjë ndryshim të madh tashmë mes publikut dhe privatit. Së dyti, universitetet e rretheve si Durrësi, Shkodra apo Elbasani rrezikohen nga mbyllja të paktën e nivelit të studimeve në mastar, pasi është në një konkurrencë të pabalancuar me privatin, i cili mund të bëjë favore me tarifat, mund të ofrojë 10-fishin e bursave të publikut apo mund të tolerojë pagesat me këste që lehtësojnë studentët. Në këtë situatë studentët do të braktisin universitetet e rretheve dhe do të dynden tek privati, ku me të njëjtën pagesë përfitojnë kushte më të mira studimi. Dhe së fundmi universitetet publike, sidomos ato në rrethe, të dëmtuara nga zgjedhjet të bazuara në interesa politiko – ekonomike dhe jo akademike, me mungesa në marketing dhe staf të kualifikuar për të thithur studentë do të kthehen në kolegje bachelor-i, ndërsa lektorët e tyre ose do të zgjedhin privatin ose do të pranojnë të punojnë me paga shumë më të ulëta se ato të deritanishmet”.