Mediu: Çdo shqiptar ka një arsye përse të protestojë më 27 janar

Tre ditë para protestës, Partia Republikane mblodhi Asamblenë Kombëtarë për të diskutuar dhe për t’u organizuar mbi zhvillimet politike. Kryetari Fatmir Mediu, kërkoi bashkimin e gjithë faktorëve të djathtë, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për largimin e Edi Ramës. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane, kryetari Fatmir Mediu, ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës në 27 janar, duke theksuar se qeveria i ka braktisur ata.
Mosreagimi i opozitës dhe heshtja e ndërkombetarëve sipas Mediut do të shkatërronte perspektiven evropiane të vendit. “Opozita duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së vet qytetare pa asnjë kompromis me të keqen dhe njëherësh ndërgjegjes opozitare për të ndërtuar atë që është më e mira. Heshtja e opozitës, mosreagimi i qytetarëve dhe indiferenca e partnerëve ndërkombëtarë do të ishte triumfi përfundimtar i së keqes në Shqipëri. Protesta paqësore qytetare dhe opozita duhet të tundin nga themelet qeverinë. Kjo protestë duhet të jetë jo vetëm zëri i fortë i qytetarëve, por edhe përcaktimi i kufijve të qeverisë, përndryshe nuk ka zgjidhje tjetër”, shprehet Fatmir Mediu.
Mediu: Këto ditë të ftojmë çdo qytetar që nuk pranon varfërinë, krimin, pasigurinë, nuk pranon manipulimin e votës, shkatërrimin e Kushtetutës. Të gjithë ata qytetarë që besojnë tek puna e ndershme, forca e punës së tyre, që besojnë se janë zot të fatit të tyre të bashkohen protestës tonë paqësore të 27 janarit për të shembur murin e krimit dhe korrupsionit të ndërtuar nga kjo qeveri.
Mediu ka kërkuar bashkimin e gjithë faktorëve të djathtë. “Të gjejmë të gjitha rrugët që idetë tona t’i bashkëshoqërojmë me marrëdhënie permanente me atë që është shtylla kurrizore e së djathtës, me të përndjekurit politikë, pronarët, rininë, intelektualët, biznesin. Këto grupe interesi duhet të gjejnë të gjithë hapësirën të përfshihen në vendimarrjen e konkurimin politik të së djathtës. Opozita është shumë më tepër se numrat e deputetëve në Kuvend apo numrat e anëtarëve të partive tona”.
Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane e përshëndeti dhe nënkryetari i PD-së Edi Paloka.
Paloka: Me datë 27 duhet t’i themi ndal të keqes, ndryshe nuk do të ketë kthim. “Protesta po shohim nga një cep i Shqipërisë në një cep tjetër. Për këtë arsye, ne po ju bëjmë thirrje, pa përjashtim të bindjeve dhe problemit. Mjaft hipët majë vinçave dhe pallateve për të protestuar. Të gjithë të majtë dhe të djathë duhet të jeni në protestë, pasi nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Paloka. Paloka tha se Rama po e kthen vendin në diktaturë krimi.