Ballina Sport Lamtumirë Barcelonë!

Lamtumirë Barcelonë!

Barcelona ka konfirmuar se Javier Mascherano do të largohet nga klubi, me argjentinasin që ka arritur një marrëveshje për të vazhduar karrierën në Kinë. 33-vjeçari do të luajë me Hebei China Fortune, pasi vendosi të mbyllë aventurën në Katalonjë, që zgjati shtatë vite e gjysmë. Lajmi është konfirmuar nga klubi “blaugrana”, i cili ka organizuar një ceremoni lamtumire ditën e mërkurë. Argjentinasi do të takojë për herë të fundit shokët e skuadrës dhe stafit teknik gjatë një darke që do të zhvillohet enkas për të, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Josep Maria Bartomeu.
Mascherano ka fituar katër herë titullin në La Liga dhe dy herë trofeun e Champions League gjatë kohës që ka luajtur në “Camp Nou”. Ai u ble nga Liverpool në vitin 2010. Mendohet se numrin 14, që mbante argjentinasi, do ta marrë një tjetër futbollist i ardhur nga Liverpool, Philippe Coutinho. Ky numër është shumë domethënës për Barcelonën, pasi është mbajtur nga një legjendë e klubit si Johan Cruyff. Mascherano bëhet lojtari i dytë që largohet nga Barcelona gjatë muajit janar, pasi më parë, Arda Turan shkoi te Istanbul Basaksehir.

Exit mobile version