Jemi në anarki, varfëri dhe kaos. Rrëzim i status-quosë

Nga Bujar Nishani

Prej disa vitesh jeta jonë ka marrë jo thjesht një kahje të gabuar por një të tatëpjetë.
E në këtë të tatëpjetë jemi duke u përplasur të gjithë, burra e gra, të rinj e të moshuar, të kamur e të varfër, të përgjegjshëm e të pa përgjegjshëm, votues dhe abstenues, të djathtë e të majtë, dashurues dhe kundërshtues të pushtetit.
Sot është prioritet emergjent shembja e status quo-së, social politike që ka ngërthyer të gjithë vendin.
Që nga shtatori i vitit 2013 në Shqipëri u dizenjua dhe implementua një platformë sa fatkeqe aq dhe e papërgjegjshme.
Çuarja e Shqipërisë drejt një KAOSI total social ku qytetari humbet cdo orientim dhe dimension normal. Ai kthehet në një qënie e varfër, e pasigurtë, e frikësuar, amorfe dhe pa nerv. Ky KAOS menaxhohet nga grupet kriminale dhe “të fortët”.
Mjerimi i madh nis nga rrethina e Tiranës e cek çdo skaj të vendit, veri e jug, lindje e perëndim, tej e ndanë një hapësire e matshme kjo gjeografikisht jo më shumë se sa e një kryeqyteti evropian.
Kjo meriton reagim dhe protestë !
Institucionet e shtetit janë sulmuar, degraduar dhe nuk ofrojnë as garanci dhe as shërbim.
Për këtë duhet protestuar !
Shteti ynë po humbet çdo ditë nga pak arsyen pse duhet një shtet.
Këtë duhet ta ndalojmë !
Shqiptarët nisën të lëvizin si njerëz të lirë dhe në normalitet që nga viti 2010. Sot trajtimi i tyre në sportelet e kontrollit të vendeve të Shengenit është kthyer siç ai i viteve ‘90. E ky nuk është faji i të tjerëve. Nëse ne u dërgojmë drogë, krim dhe pasiguri kufitare, fajtorin e kemi mes nesh.
Ne duhet ta ndëshkojmë atë dhe rikthejmë normalitetin për të gjithë ne !
Për herë të parë në këto 25 vitet e fundit mediat prestigjoze botërore si BBC, Neësëeek, Financial Times, Le Figaro, Süddeutsche Zeitung, La Repubblica etj., po na tregojnë si faqe të zezë e narkotrafikut për shkak të disa faqezinjëve në mes nesh që duhen ndalur.
Edhe protesta është një mënyrë për ta nisur ndaljen e tyre !
Zëri, modeli dhe fytyra e qytetarisë është zëvendësuar me injorancën dhe harbutërinë që tenton të na përfaqësoj të gjithëve.
Për këtë duhet protestuar !
Korrupsioni ka kalçifikuar statusin e të privilegjuarit dhe pandëshkueshmërisë.
Protesta të paktën e denoncon atë !
Urrejtja klasore ka rilindur në formën e vet më revanshiste. Ish të përndjekurve politik ju mohohet e drejta e parashikuar me ligj në procesin e rehabilitimit të tyre. Pronarëve të shpronësuar nga rregjimi stalinist ju është bllokuar e drejta e rikthimit të pronës familjare.
Protesta denoncon këto akte burracakërie !
Kërkesa e shqiptarëve për reformën në drejtësi u shëndërrua në një platformë për kontrollin politik të pushtetit të drejtësisë. Gërma dhe fryma e Kushtetutës miratuar me konsensus u minua harbutërisht në mënyrë të parikuperueshme në këtë status quo. Grupi që dominon të gjithë pushtetin operacional ushtron vullnetin e vet njëanëshmërisht në kontrollin me anë të policisë dhe joshjes të gjithë piramidës së sistemit të drejtësisë.
Për një reformë të vërtetë në drejtësi duhet protestuar !
Përpjekja për arsimim dhe punësim u zëvendësua nga rradhët e gjata për formularët e emigrimit. 300 mijë shqiptarë aplikuan veç të ikin në 2016. Dyfishimi tyre është shënuar në 2017. Një tmerr kombëtar pa fund ky.
Protesta më së paku e denoncon këtë poshtërim ku zullumqari e zhyti qytetarin !
Në këtë ambjent arrogance e tehposhtje
reagimi parlamentar dhe ekstra parlamentar ka rëndësi fondamentale.
Ato parlamentare janë të shumëllojshme dhe do jepnin rezultate të rëndësishme.
Ato ekstraparlamentare janë domozdoshmëri e këtij realiteti që degradon pa ndalim cdo ditë.
Në Shqipëri është atrofizuar demokracia dhe vendi po shkon fatalisht drejt përplasjes së fortë.
Pluralizmi politik po nis të konsiderohet i panevojshëm. Media kur nuk blihet gjobitet. “Shoqëri Civile”, mbahet si distinktiv ndër rreshtarët militarë.
Ndaj qytetaria duhet të kundërshtoj !
Opozita ka të drejtën por dhe detyrën të kërkoj fjalën, zemrën dhe nervin e shqiptarëve në Protestë !
Shqiptarët më tej, meritojnë të shohin rrugëtimin e qartë të ndryshimit.
Sot, protesta nuk është “Për” partinë por “Kundër” status quo-së.
Sot, na vyen jo ruajtja e status quo-së por rrëzimi i saj pasi nuk jemi në begati dhe normalitet por anarshi, varfëri dhe kaos.