Dhoma Amerikane: Informaliteti ende problem, vonesa në rimbursimin e TVSH

Aksioni anti-informalitet duket se nuk po jep rezultatet e duhura. Dhoma Amerikane e Tregtisë ngre shqetësimin se vijojnë të bëhen abuzime me pagesën e taksave nga disa subjekte gjë që po godet konkurrencën. “Kemi ankesa për moskryerjen e kontrollit për efekt të rimbursimit të TVSH brenda afatit 30 ditor që parashikon ligji. Kemi vonesa në kryerjen e procedurave, formaliteteve për miratimin formal të shumës së TVSH në DPT dhe edhe kur është miratuar shuma nga ana e DPT kemi raste të vonesave në rimbursimin e shumës nga Thesari”, tha Alketa Uruçi, DHAT. Alketa Uruçi: Disa anëtarë të Dhomës kanë evidentuar që disa konkurrentë të tyre vazhdojnë të sillen informalë në treg, pra nuk lëshojnë kuponë tatimorë. Nuk deklarojnë të ardhurat në tatime duke qenë se operojnë me individë që nuk janë të interesuar të marrin faturën tatimore dhe kjo prish konkurrencën e ndershme në treg.
Edhe pse ishin shprehur të kënaqur për disa kohë duket se rimbursimi i TVSH ka shfaqur sërish problem përderisa Dhoma Amerikane i është rikthyer sërish këtij problemi. Uruçi: Çështja e dytë që anëtarët kanë ngritur ka lidhje me transparencën në procedurën e rimbursimit të TVSH-së dhe kjo lidhet me faktin që rimbursimi duhet të bëhet sipas afateve kohore kur është bërë kërkesa për rimbursim.
Për Dhomën Amerikane edhe në vetë procesinn e rimbursimit të TVSH nuk ka transparencë, dhe është e paqartë radha që ndiqet për parate që u kthehen bizneseve. “Si kjo drejtori arrin të bëjë transparencë në lidhje me trajtimin jofavorizues të tatimpaguesve, në kuadër të trajtimit të kërkesave sipas radhës dhe jo standardeve të tjera”, tha ajo.

Biznesi ankohet për rimbursimin e TVSH-së

Vonesat në rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo gjobat e vendosura nga Administrata Tatimore për ato biznese që kanë faturuar NIPT-e pasive kanë qenë dy nga problematikat kyçe të ngritura në takimin organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me Drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjero. Rimbursimi i TVSH-së edhe pse ka vite që lakohet si një proces i lehtësuar, madje në mandatin e kaluar u bënë një sërë ndryshimesh thelbësorë që synonin këtë objektiv duket se ende mbetet pengesa më e madhe e bizneseve sidomos për ata fason.
Bizneset u shprehën se asnjëherë nuk zbatohet afati i rimbursimit i përcaktuar në ligj, ndërkohe që kjo vonesë lidhet si me hallkën e vlerësimit ashtu edhe me pjesën e pagesës nga ana e Thesarit. Biznesi fason u shpreh se në disa raste kishin që nga muaji prill apo maj i vitit të kaluar që nuk kanë përfituar rimburismin të cilin e kanë kërkuar pranë administratës tatimore.
Drejtorja Vjero nga ana tjetër nënvizoi se kërkesat për rimbursim kanë qenë në rritje të vazhdueshme ndërkohe që në shumë raste janë bërë kërkesa të pasakta çka sjell edhe vonesa në gjithë procesin final të rimburisimit.

Afatet ligjore të rimbursimit

Referuar ligjit rimbursimi për tatimpaguesit jo-eksportues (kriteri ligjor që duhet plotësuar: TVSH e zbritshme më e madhe se 400.000 lekë, e mbartur për tri periudha të njëpasnjëshme), kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e ministrit të Financave. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit, duke iu nënshtruar analizës së riskut për rimbursim.
Për tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë që plotësojnë një seri kushtesh mbi vlerën e eksporteve apo kohëzgjetjen e aktivitetit rimbursimi kryhet automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.

Gjobat për faturat me NIPT-e pasive dhe informaliteti

Një tjetër problematikë e shfaqur së fundmi është ajo mbi gjobat që po marrin bizneset kur i faturojnë bizneseve të deklaruara pasive, ndërkohë që ato nuk deklarohen si pasive në sistem dhe evidentimi i tyre bëhet i vështirë. Gjobat janë 10 mijë lekë të reja për çdo faturë të lëshuar, pa u kryer asnjë verifikim. Drejtoria Rajonale Tatimore e Tiranës ka dërguar vetëm njoftim vlerësimi pa arsyetuar vendosjen e gjobës nëpërmjet një akti verifikimi.
Informaliteti mbetet ende problem. Anëtarët e Dhomës thanë se bizneset e parregullta që operojnë në treg nuk deklarojnë dhe paguajnë taksat në organet tatimore, duke kryer evazion fiskal. Moskontrollimi nga ana e organeve tatimore e këtyre bizneseve dhe mënyres sesi ata operojnë çon në një konkurrencë të pandershme në treg, gjë e cila dëmton rëndë operatorët e tjerë që operojnë në këtë treg dhe që janë korrekte në deklarime dhe pagesa në organet tatimore.
Po kështu antaet e Dhomës kanë konstatuar se eficenca e sistemit tatimor mbetet në nivele të uleta. Kjo jo vetëm në aspektin e manaxhimit nga ana e Administratës Tatimore, por edhe në aspektin e cilësisë së trajtimit të çështjeve nga kjo administratë.
Herë pas here vihen re trajtime të reja, interpretime që bazohen në të njëjtat dispozita ligjore të aplikuara më parë, por që tani kanë efekte tatimore në mënyrën e re të trajtimit të transaksioneve. Ky qëndrim sjell mungesën e parashikueshmërisë nga ana e biznesit për mënyrën sesi Administrata Tatimore do të veprojë në të ardhmen.