Abaz kërkon njohjen dhe ndërmjetësimin e BE-së

Ndërsa nënpresidenti i SHBA-së Mike Pence gjatë vizitës në Tel Aviv shpalli transferimin e ambasadës amerikane më 2019 në Jeruzalem, nga Brukseli vjen një deklaratë kundërthënëse. Europianët mbështesin edhe më tej ndërtimin e një shteti palestinez me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet, kështu u shpreh kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, gjatë takimit me Presidentin Mahmut Abaz. Por me ripërsëritjen e pozicioneve të njohura konflikti nuk mund të zgjidhet

Abaz do të negociojë sërish
Presidenti palestinez e ka marrë tashmë veten pas indinjarës së shfrenuar të një jave më parë në Ramallah, ku ai Marrëveshjen 25-vjeçare të Oslos me një plan kohor për bisedimet e paqes e shpalli të dështuar dhe kërcënoi, që do t’i japë fund vetëadministrimit palestinez. Në Bruksel, ai iu rikthye formulave të vjetra, me të cilat prej dekadash po mbahet në jetë procesi i negociatave për një zgjidhje të dy shteteve.
Abazi premton pra durim të mëtejshëm, megjithatë ai dëshiron që BE-ja të angazhohet më fort si ndërmjetësuese. “BE-ja është partnerja jonë më e rëndësishme ndërkombëtare (…) dhe duhet të luajë një rol politik”. Që pas deklaratës së Presidentit Trump për Jeruzalemin palestinezët e refuzojnë SHBA-në si ndërmjetësuesen kryesore.
Krahas kësaj, Abaz u bën thirrje europianëve, që të hedhin hapin drejt njohjes së shtetit të Palestinës: “Nuk ka asnjë kundërthënie mes një njohjeje dhe rifillimit të bisedimeve ( …) kjo do ta inkurajonte popullin palestinez”. Tek e fundit bëhet fjalë për para: pasi Trump deklaroi shkurtimin e mbështetjes financiare të SHBA-së UNRWA (Autoriteti i OKB-së për refugjatët palestinezë) me rreth 60 milionë dollarë, shkaktohet një boshllëk në buxhet. Javën e ardhshme do të zhvillohet një konferencë donatorësh në Bruksel për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi. Nëse palestinezët këtu lihen vetëm, atëherë ata hidhen në “krahët e ekstremizmit dhe terrorizmit”, tha Abaz.

BE e palëkundur nga deklarimi i Trump për Jeruzalemin
Federica Mogherini zgjedh fjalë të ashpra për vendimin e Donald Trump mbi Jeruzalemin: “Nuk bëhet fjalë për një shuplakë ndaj europianëve (prej Pence). Pozicioni ynë është prej kohësh i pandryshuar, dhe ai është i konfirmuar edhe nga Marrëveshja e Oslos dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit”. Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i dyanshëm në kuadër të një zgjidhjeje me dy shtete, kjo është e pakthyeshme.
Por e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, e hedh poshtë një rol drejtues të BE-së në kuartetin e Lindjes së Mesme. Rruga e vetme është një zgjidhje multilaterale. Por njëkohësisht ajo e kthen shigjetën nga Uashingtoni: “Ajo që për ne ka qenë gjithmonë e qartë, është, se nuk mund të ketë bisedime të besueshme vetëm me SHBA-në”, deklaron Mogherini. Me këtë ajo e hedh poshtë nismën e njëanshme të SHBA-së.
Edhe sa i përket financimit të UNRWA ajo ngre gishtin tregues drejt qeverisë së SHBA-së: Europianët janë gjithsesi donatorët më të mëdhenj, SHBA duhet t’i përmbushë detyrimet e veta, në rast të kundërt krijohet destabilizim në rajon.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, kërkon të bëhet një hap praktik përpara, duke dashur të përgatiten bisedimet për një Marrëveshje Asociiimi mes BE-së dhe palestinezëve, që nënkupton pothuajse një njohje. Por për këtë nuk ka unanimitet në BE. Gjashtë vende europiano-lindore kanë abstenuar në OKB për çështjen e Jeruzalemit dhe i shohin me skepticizëm veprimet e mëvetsishme në BE. Francezët dhe suedezët konsiderohen si përkrahësit më të fortë të palestinezëve. Qeveria në Stokholm është e vetmja anëtare e BE-së që ndërkohë e njeh shtetin e Palestinës. Berlini i shmanget tradicionalisht kontroversave me Izraelin. E të gjitha këto nuk krijojnë terren të përshtatshëm për nisma të përbashkëta.