Vendimi që dënoi kandidatin e Ramës për KLGJ dhe KLP, Altin Hazizaj

Propozuar nga Shoqëria Civile, Altin Hazizaj është zgjedhur të hënën nga nënkomisioni ad-hoc për anëtar të KLGJ-së edhe pse ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një vendim penal të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

VENDIM
“Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të Ligjit Nr. 138/2015”

Në Tiranë sot më 26.07.2017
Unë Rovena GASHI, me detyrë Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të Ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, neni 8, pika 2, si dhe të Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Nr. 17/2016, kreu V, pika 10, 11, pasi shqyrtova aktet e verifikimit datë 13.07.2017 të shtetasit Altin Hazizaj kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga Shoqëria Civile:

KONSTATOVA SE:
Në mbështetje të nenit 56 të Ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me shkresën Nr. 1790/8 Prot, datë 12.07.2017, ka përcjellë formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga kandidati për anëtar i KLGJ-së nga Shoqëria Civile, për t’u verifikuar në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Sektorit i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, studioi kërkesën dhe kreu verifikimet përkatëse nga të cilat rezultoi se:
Subjekti deklarues Altin Hazizaj ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në zbatim të Ligjit Nr.138/2015, në të cilët në pyetjen 5 të formularit ka deklaruar se ndaj tij ka pasur një masë sigurimi personale në shkurt të 1996 për veprën penale të parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal, “Shpifja”. Ky ndalim është hequr me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga “Sektori i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” me shkresën Nr. 2037/4 prot., datë 14.07.2017 i është kërkuar informacion për gjendjen gjyqësore Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kurse me shkresën Nr. 2037/2 prot, datë 14.07.2017, është kërkuar informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Nga përgjigjet e ardhura dhe verifikimet e kryera rezulton se për subjektin Altin Hazizaj ka një dënim penal të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Subjekti me vendimin nr. 603 datë 24.07.1996 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5000 lekë gjobë për veprën penale të parashikuar nga neni 236/1 i Kodit Penal “Kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe rendit publik”. Këto të dhëna janë të pasqyruara dhe në Dëshmitë e Gjendjes Gjyqësore Nr. 11, datë 20.07.2017, përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr. 3219 prot. datë 20.07.2017.
Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton subjekti vetëdeklarues ka të njëjtat gjeneralitete, të cilat i ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Në këtë sisitem nuk rezulton që ky subjekt të ketë qenë ndaluar/arrestuar/hetim nga organet ligjzbatuese për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në sistemin elektronik të Gjendjes Civile rezulton se, subjekti ka të njëjtat gjeneralitete, të cilat i ka deklaruar pa ndryshime.
Në përfundim të procesit, “Sektori i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ka konkluduar se verifikimi është kryer i plotë dhe i gjithanshëm.
Subjekti deklarues përfshihet në fushën e veprimit të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016.
Megjithëse dënimi me gjobë nuk përfshihet në fushën e ndalimit të ushtrimit të funksionit sipas nenit 2 të Ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, por sa rezulton më sipër, subjekti nuk ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë në formular edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.
Në KREUN III, pika 3, ç), të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016 thuhet se formulari (që plotësohet dhe firmoset nga subjektet vetedeklarues) përmban një rubrikë ku detyrimisht pasqyrohet se “…. pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.
Duke nënshkruar, në faqen e dytë të formularit II “Marrja dijeni mbi efektet e formularit dhe të vetëdeklarimit”, pika d) “Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në këtë Formular dhe refuzimi i depozitimit të gjurmëve daktiloskopike, passjell skualifikimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik”, subjekti mban përgjegjësinë e plotë dhe është i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të deklarimeve të pavërteta, të paplota apo të pasakta, në lidhje me të kaluarën e tij kriminale.
Fakti që në formular, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me, vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e bën këtë subjekt, të përfshihet në kushtet e ndalimit, duke passjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.
Për sa më sipër, dhe bazuar në Ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe kreut V, pika 10, 11 të Vendimit të Kuvendit nr.17 viti 2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në Ligjin nr.138 viti 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

VENDOSA:

Përfundimin e verifikimeve dhe konstatimin se subjekti deklarues Altin Hazizaj kandidat për anëtar të KLGJ-së nga Shoqëria Civile, përfshihet në fushën e veprimit të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Ky vendim dhe rezultatet e verifikimit t’i njoftohen brenda 3 (tre) ditëve, institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.