Prokuroria paraqet prova të reja për bandën e Shullazit

Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje në Gjykatë prova shkresore për procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij. Mes dokumenteve të paraqitura në gjyq nga Prokuroria ishte edhe referim i Policisë së Shtetit i shkurtit 2016 ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarend Dervishaj dhe Emiljano Shullazi.
Prokuroria tha se, hetimet nisën për këtë të fundit në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet ndaj biznesmenëve. Në seancë u paraqiten edhe disa mesazhe në Whatsapp që Ylvi Beqja i shkëmbente me një shtetas të huaj, duke i thënë se po e kërcënonin anëtarët e grupit të Shullazit.
Avokatët pretenduan se Prokuroria nuk kishte verifikuar numrin marrës të këtyre mesazheve dhe pretenduan se Ylvi Beqja mund tja ketë dërguar vetvetes ato. Në debat ka ndërhyrë Prokurorja, duke i thënë avokatëve që të mos marrin rolin e strukturave inspektuese dhe kontrolluese të punës së Prokurorisë. Por kjo ndërhyrje ka sjellë reagimin e Gilmando Danit, i cili iu drejtua prokurores me fjalët: “Ke dy vjet që na mban në burg pa asnjë provë”.
Përfaqësuesja e akuzës i ka kujtuar të pandehurit se mbahet në burg me vendim Gjykate, por Dani nga kafazi i hekurt ka thënë se Prokuroria e di mirë pse mbahet në burg ai dhe shokët e tij.
Gjyqi është shtyrë, pasi avokatët deklaruan se në seancën e ardhshme do të paraqesin kundërshtime me shkrim në lidhje me provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë. Sipas prokurorëve, përmbajtja e tyre, vë me shpatulla pas murit pesë të akuzuarit për “gjobëvënie”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kanosje”.
Përmes një materiali 19 faqesh, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi listuan gjithë shkresat e dosjes, që nga referimi i veprës penale në Prokurori, tek dokumentimi i të gjitha veprimeve hetimore në vijim, përfshi këqyrje vendngjarjesh, akt-ekspertime teknike a gjenetike, këqyrje kamerash sigurie pranë vendit ku u kërcënua rektori Mynyr Koni dhe në bankat ku kanë lëvruar çeqe të pandehurit, si dhe kontratat noteriale apo praktikat gjyqësore mbi pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
Sipas Prokurorisë, hetimi ndaj të pandehurve ka nisur në shkurt të vitit 2016, pas një referimi të një informacioni të Policisë së Shtetit për dyshimet mbi një veprimtari kriminale nga disa persona. Në një nga këto informacione, përveç Shullazit janë përcjellë të dhëna mbi veprimtari kriminale të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha dhe kunatit të tij Plarent Dervishaj, kohë kur vetë Berisha ishte ende në qeli.
Hetimet janë veçuar më tej për Shullazin dhe grupin, dhe kanë vijuar deri në prangosjen e tyre. Prokurorja deklaroi se hetimet kanë nisur sipas një referimi të kryer nga policia në muajin shkurt 2016 ndaj dy grupeve, nga njëra anë për Emiljano Shullazin dhe nga ana tjetër për Lulëzim Berishën, ku policia paraqiste të dhëna për veprimtari kriminale.
Nga hetimi pasuror, tha prokurorja, rezulton se i pandehuri Emiljano Shullazi ka si pasuri një automjet dhe aksionet për ish-hotel “Vollgën”.
Prokurorja përmendi se shoku i Shullazit, Gilmando Dani nuk ka asnjë pasuri tjetër përveç dy autmjeteve. Të akuzuar për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal, si edhe kanosje për shkak të detyrës, për Shullazin dhe grupin e tij u radhitën si prova pamjet filmike në pesë episode, kur të dyshuarit tërheqin 131 mijë euro nga një bankë, një shumë e përfituar prej tyre në formën e gjobëvënies ndaj Ylvi Beqjas.
Ndërkohë, në lidhje me vendosjen e lëndës plasëse në pronën e shtetasit Jani Zaka, prokurorja tha se një person ende i paidentifikuar shfaqet, duke hequr kamerat e sigurisë, ndërsa pak ditë pas këtij vendimi, ka ndodhur edhe shpërthimi në zonë.
Në seancën e radhës, e caktuar në 30 janar 2018, avokatët do të paraqesin me shkrim kundërshtitë e tyre në lidhje me provat e Prokurorisë.