Policia i arrestoi, banorët e Vërrisë, sërish në protestë

Policia e Fierit pasi i dhunoi banorët pse protestuan kundër ndërtimit të impiantit të plehrave, ka shkuar në mes të natës dhe ka arrestuar disa prej tyre. Megjithatë, banorët e Vërrisë nuk u dorëzuan ata dolën sërish në protestë ditën e djeshme, duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e impiantit të plehrave në tokat e tyre. “Erdhën natën në fshat policët dhe arrestuan disa banorë pse protestuan. Kërkojnë të na frikësojnë që të mos protestojmë, por ne nuk dorëzohemi”, u shpreh një banor i moshuar.
Një tjetër i moshuar rrëfen se, policia e ka dhunuar, duke e hedhur në kanal. “Policët më tërhoqën zvarrë dhe më hodhën në një kanal”, rrëfen i moshuari. “Turp i madh! Këtu në mes të Myzeqesë, të ngrihen plehrat këtu”, shprehet një grua.
Banorët u shprehën se para zgjedhjeve në maj i hoqën makineritë dhe na u tha që nuk do vijonte më si projekt për plehrat. “Na premtuan që nuk do bëhej impianti i plehrave. Para zgjedhjeve në maj i hoqën makineritë dhe na u tha që nuk do vijonte më si projekt. Kryebashkiaku në një takim me përfaqësues të fshatit tonë na premtoi, që kjo nuk do të ndodhte edhe deputetët e zonës na dhanë fjalën që gjithçka do të rregullohej, por nuk ndodhi kështu”, u shpreh një nga protestuesit.
Banorët tregojnë se, kompania që ka fituar koncesionin për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit, ka filluar ndërtimin pavarësisht protestave të banorëve e premtimeve të qeverisë. “Kompania ka tentuar të na joshë, duke na thënë që do kemi përfitime dhe do na punësojnë, por edhe na kanë kërcënuar, por ne nuk do heqim dorë”, shtojnë banorët e Verrisë.
Koncesioni për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit 28 milionë eurosh në Fier iu dha nga qeveria Rama, kompanisë “Integrated Technology” në shtator të 2016-ës. E njëjta kompani ka fituar dhe koncesionin për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës.
“Ndërtimi i impiantit të djegies së plehrave do të na helmojë ne dhe tokat tona”, u shprehën banorët të revoltuar. “Nuk na pyetën, nuk duam që impianti të ndërtohet këtu”, janë shprehur ata të revoltuar.
Ditën e djeshme ishte në Vërri për të përkrahur protestuesit edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe deputetët e LSI-së. Kryemadhi ka zhvilluar një bashkëbisedim me protestuesit, duke shprehur indinjatën për premtimet që këtyre banorëve iu bënë nga PS-ja gjatë fushatës elektorale dhe mosmbajtjes së tyre me ardhjen në qeverisje. Kryemadhi iu bëri thirrje banorëve që të mos tërhiqen nga e drejta e tyre për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të plehrave.
Ndërkohë dje, policia tha se ka arrestuar 4 prej banorëve për protestën e ditës së hënë më parë, ku pati edhe përplasje mes banorëve dhe policisë. Në njoftimin e policisë thuhet se u arrestuan shtetasit Aleksandër Bita, 52 vjeç, Eridjon Janji, 32 vjeç, Bledjon Bita, 43 vjeç dhe Zylyftar Delibashi, 67 vjeç. Policia në një njoftim për mediat thotë se, arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi në datën 22.01.2017, në orën 14:00, në kufirin ndarës midis fshatrave Verri dhe Kallm i Madh, kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Rendit Publik dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Policia e Fierit bëri të ditur se, personat e arrestuar akuzohen se kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme, si dhe kanë kundërshtuar efektivët dhe penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Protesta e ditës së hënë në Verri të Fierit u shoqërua me incidente. Policia tenton me çdo kusht të ndërpresë protestën e banorëve, të cilën nuk pranojnë që impianti i djegies së plehrave të vendoset në tokat e tyre.

R.POLISI