Kryemadhi me banorët protestues të Fierit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është takuar dje me banorët e Vërrisë në rrethin e Fierit, të cilëve u ka deklaruar mbështetjen e plotë të LSI-së në kërkesën e tyre për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të plehrave në këtë zonë. Kryemadhi shoqërohej në këtë takim nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari. Kryetarja e LSI-së është solidarizuar me protestën e banorëve dhe ka deklaruar se mbështetja e LSI-së do të jetë e plotë. “Sigurisht edhe njerëzit e LSI-së ta lënë politikën dhe do të jenë këtu për të mbështetur banorët. Këtu bëhet fjalë për mbijetesën e fëmijëve, bëhet fjalë për mbijetesën e familjes, bëhet fjalë për vazhdimësinë. Më vjen shumë çudi, se ne po kërkojmë toka të kategorisë së parë për të ndërtuar ferma, për prodhimet vendase organike dhe për t’i eksportuar ato, ndërkohë që ne tani po importojmë plehra nga jashtë për ta kthyer këtë tokë të kategorisë së parë në tokë të kategorisë së fundit”, tha Kryetarja e LSI-së, e cila iu drejtua banorëve të Vërrisë, duke theksuar se: Ne na keni tërësisht në dispozicion. Unë jam e gatshme, së bashku dhe me këshilltarët tanë. Ne do të ofrojmë konsulencë me ekspertët e LSI-së”, tha Kryemadhi. Më tej ajo theksoi se: Më vjen keq që ta them, por prandaj ka humbur dhe besimi te politika, sepse përpara zgjedhjeve këtu vijnë dhe premtojnë dhe thonë se nuk do ta lejojmë ndërtimin e impiantit, dhe pasi mbarojnë punë, marrin votat, mbarojnë zgjedhjet dhe tani thonë do ta bëjmë”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.