Dashamir Shehi: Në krye të pushtetit një bandë e rrezikshme që duhet rrëzuar

Deputeti i opozitës Dashamir Shehi tha se, qytetarët duhet të dalin të protestojnë se janë në fukarallik, çmimet dhe taksat po i rriten, kriminaliteti po rritet, përditë po hyjnë në burgje djemtë e rinj, kanabizimi po shkatërron shoqërinë, bizneset. “Pse po ikin kompanitë e huaja? Po ikin, sepse nuk mund të rrinë në një vend ku fitojnë 5 ministra me Edi Ramën, 50 policë dhe 50 biznesmenë të lidhur me Edi Ramën”, tha Shehi. Në vijim ai u shpreh se, Edi Rama mori timonin i vetëm më 25 qershor edhe për fajin dhe për shkak të gabimeve të opozitës. “Nuk u treguam të zotë që të bindim shqiptarët se Edi Rama do ju heqë edhe bukën e gojës, këto janë kusure të shqiptarëve”, tha Shehi. Shehi tha se, pavarësisht problemeve që ka sot PD, ajo mbetet alternativa e vetme. “Ne kemi një kauz, të rrëzojmë Edi Ramën dhe në këtë rrugën tonë duhet të mblidhemi të gjithë, pavarësisht kritikave dhe apo divergjencave”, tha Shehi. Sipas tij, shqiptarët duhet të dalin në protestë për t’i treguar Edi Ramës sesa të fortë jemi. “Edi Rama dhe banda që ka është aq i rrëzikshëm dhe aq i korruptuar, saqë këto të korruptuarit që ka brenda opozitës, duken engjëj”, tha Shehi. Në vijim ai tha se, në Shqipëri nuk ka oligarkë, por janë një bandë që vjedh dhe grabit. “Janë një bandë e rrezikshme, kryekriminelë, banditë dhe hajdutë, që janë bërë miliarderë. Shikoni nga vijnë dhe do të shikoni se çfarë llumi ka sjellë Edi Rama. Këto po pastrojnë paratë e drogës me kullat që do të ndërtojnë në Tiranë, që do t’i kishte frikë edhe Nju Jorku. Nëse nuk do të rrëzojmë këtë bandë horrash që kanë kapur Shqipërinë nga fyti, ditët tona do të jenë shumë të errëta”, tha Shehi. Dashamir Shehi tha në studion e Syri.net se, vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore, pasi të gjitha problemet agravohen apo shtohen pikërisht nga deformimi i zgjedhjeve. Shehi tha se, Lulzim Basha duhet t’i përmbahet premtimit që listën e kandidatëve për deputetë nuk do e caktojë më ai, por do e përzgjedhin shqiptarët. “Ne duhet të pastrojmë vendin nga një sistem elektoral që është fund e krye i korruptuar”, tha Shehi. Lidhur me hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Shehi tha se ka besim te ndërkombëtarët për të pastruar apo siç thonë shqiptarët, për të shirë këtë lëmin këtu te ne. “Deri tani jemi në fazën që është mbarsur malli dhe polli një mi, por mendoj se ndërkombëtarët do të pastrojnë disi këtë ambientin politik këtu. Sa për Tahirin mund t’ju them, se është një personazh i rrezikshëm i politikës shqiptare. E mbani mend atë skenën që kur iku Tahiri, u mblodhën policët me uniformën e shtetit, dhe mbanin tabela në duar që e falenderonin. Ky ishte një nga turpet më të mëdha jo vetëm për Policinë e Shtetit, por edhe për vetë shtetin. E kuptoni se ku e ka çuar Tahiri dhe Edi Rama, Policinë e Shtetit? Tahirin e kapi Italia, atë laboratorin e Xibrakës e kapën gjermanët, autobuzin me drogë në Korçë e kapën grekët, pra Policia e Shtetit këtu nuk ka kapur asgjë”, tha Shehi. Ai tha se nuk mund të pritej asnjë gjë tjetër në lidhje me proçesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KLP dhe KLGJ-së, kur i gjithë proçesi i Reformës në Drejtësi ka rënë që nga momenti se si u zgjodh Kryeprokurorja e përkohshme. “Nuk meritojmë këtë lloj llumi, një nga anëtarët del se është spiun i sigurimit dhe kryetar i Partisë Komuniste, një tjetër del hajdut, pra kemi një llum që është haptasi i dukshëm dhe shpresoj që të ketë një reagim të ndërkombëtarëve”, tha Shehi. Sipas tij, është e turpshme kjo që po ndodh në Shqipëri, pavarësisht problemeve që ne kemi. “Këtu po kapet drejtësia dhe kapja e saj është rruga drejt diktaturës. Edi Rama ka futur duart te drejtësia, te mediat, te legjislativi, i ka futur kudo, ndërkohë që është votuar vetëm për ekzekutivin dhe atë punë që është votuar nuk e bën”, tha Shehi.