Zbulohet arsyeja përse iku Sheraton, 81 milionë euro humbje

Tregjet shqiptare janë përfshirë së fundmi nga një ofertë jo e zakontë për shitje, teksa interesi për të blerë mungon. Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare nga njëra anë, bashkë me rritjen e taksave, efektet e formalizimit dhe rritjen e tarifave dytësore nga ana tjetër, e kanë vështirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për rrjedhojë ka rritur numrin e kompanive në shitje si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit. Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit. Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është në fazë finalizimi të marrëveshjes për të blerë Bankën Kombëtare të Greqisë. Të tjera banka do të jenë në shitje këtë vit.
Në fillim të këtij viti u largua Sheraton Albania, hoteli me pesë yje. Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Toëers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania, e përqendruar në hoteleri e turizëm, rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.
Në fund të vitit të kaluar, frekuencat e kompanisë së shërbimeve celulare Plus Communication iu shitën dy operatorëve më të mëdhenj të fushës, Vodafone dhe Telecom Albania. Spitali i dytë privat më i madh në vend Hygeia është në tratativa shitjeje te operatorët e tjerë vendas. Një vit më parë, një nga kompanitë më të mëdha në vend Bankers Petroleum u shit tek një grup kinez “Geo Gade”. Disa linja të industrisë përpunuese si fabrikat e miellit dhe ato të birrës janë në shitje prej vështirësive që po sjell konkurrenca nga importet. Ndërsa më shumë se 106 mijë biznese të shitjes me pakicë kanë kaluar në regjistrin pasiv, ku në rastin më të mirë, presin të shiten, por shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së konsumit dhe efekteve që dha formalizimi. Mbi-investimet në disa sektorë dhe shfrytëzimi i ulët i tyre pas krizës së vitit 2008 kanë nxitur edhe më tej shitjet e bizneseve.