Teknologjia ecën, por numri i ndërmarrjeve që shesin online në Shqipëri ulet!

Teknologjia po shkakton revolucion në sektorin e shitjeve në pakicë kudo në botë. Në Shqipëri ky instrument përdoret nga një numër i kufizuar ndërmarrjesh, teksa në vitin 2016 numri i kompanive që kanë përdorur teknologjinë në shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre ka rënë në raport me vitin 2015. Sipas të dhënave te INSTAT, vetëm 7.1 për qind e ndërmarrjeve kanë realizuar shitje online më 2016, nga 8.8 për qind që ishte ky tregues me 2015. Sipas statistikave të INSTAT rënia ka ardhur nga sektori i pasurive të patundshme. Në vitin 2015 8.4 për qind e ndërmarrjeve në sektorin e pasurive të paluajtshme raportuan se kanë bërë shitje online, ndërsa në vitin 2016 asnjë ndërmarrje nuk raportoi shitje online.
Numri i ndërmarrjeve që kanë shitur online ka rënë ndjeshëm edhe kompanitë e sektorit të energjisë, ujit dhe gazit. INSTAT referon se me 2015, rreth 19 për qind e bizneseve në sektor shisnin online, ndërsa më 2016 ishin vetëm 2.8 për qind e tyre. Numri i ndërmarrjeve që kanë realizuar shitjet online ka rënë edhe për sektorin e transportit. Gjatë vitit të kaluar 19.2 për qind e tyre raportuan shitje online, teksa në vitin 2015 ku tregues ishte më i lartë, 23.1 për qind. Rënie e njësive ekonomike që shesin online u vu re edhe në sektorin e tregtisë. Më 2016 bizneset që përdoren këtë instrument për të shitur mallrat dhe shërbimet e tyre pësuan rënie me 4 pikë përqindje.
Numri i ndërmarrjeve që shesin online ra edhe për aktivitetet profesionale në vitin 2016, ku raportuan shitje nga interneti vetëm 12.1 për qind e tyre nga 13.2 për qind që ishin më 2015. Vetëm sektori i informacionit dhe komunikimit ka performuar me një numër në rritje të ndërmarrjeve që shesin online. Më 2016, 24.7 për qind e bizneseve në këtë fushë përdorën internetin për shitje nga 18.5% e totalit më 2015. Rritje modeste të bizneseve që shiten online u vu re në sektorin e hoteleve dhe restoranteve me 0.5 pikë përqindje. Tregtia me pakicë nga interneti po rritet me hapa galopant nga viti në vit. Vitin e kaluar, Kina shiti 19 për qind të mallrave të saj online.