Si Rama po bllokon Reformën në Drejtësi

Nënkomisioni Ad Hoc për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë zgjodhi sot me short (gogla) anëtarët për këto dy institucione.
Pesë anëtarët jo gjyqtarë për KLGJ u zgjodhën Arben Vani, Sokol Lamaj, Erjon Muharremaj, Ilir Panda dhe Altin Hazizaj. Ndërsa 5 anëtarët jo prokurorë për KLP u zgjidhën Kozma Jano, Floreta Gjini, Enejda Sema, Mirela Bogdani dhe Alfred Balla. Sipas procedurës këta kandidatë do ti kalojnë më pas Kuvendit për votim.
5 anëtarët e komisionit nuk gjetën dakordësi për të votuar gjatë mbledhjes secilin prej kandidatëve për KLGj dhe KLP. Sipas ligjit, në rastin kur anëtarët e Nënkomisionit nuk bien dakord, Kushtetuta parashikon si zgjidhje hedhjen e shortit. Lista me 10 anëtarët e KLGJ dhe KLP do t’i kalojë për miratim Parlamentit, ku do të duhen 92 vota për miratimin e tyre.
Debatet mes mazhorancës dhe opozitës kanë dominuar gjithë procesin që ka zgjatur disa orë në Kryesinë e Kuvendit. Opozita PD dhe LSI kundërshtoi procesin, duke e cilësuar si jo korrekt nga ana ligjore. Kjo për arsyen se kandidatët që u hodhën në votimin me gogla ishin seleksionuar më herët nga Partia Socialiste.
Pra secila gogël të binte prapë në rregull ishte PS-ja, pasi të gjithë ishin të përzgjedhur prej forcës politike në qeveri. Ndaj kryetari i Komisionit të Ligjeve zoti Manja ishte i qetë, buzagaz e plot humor, sepse e dinte se kujtdo ti binte fati në gogël prapë i kryeministrit do të ishte si linjë politike.
Por skema është me fine se sa duket. PS-ja i përzgjodhi emrat të gjithë nga miqësitë e kryeministrit, pasi e di se 92 vota nuk jepen në Parlament. Duke mos u votuar me 92 vota, sepse PD dhe LSI nuk kanë luajtur mendsh të votojnë emrat e Edi Ramës, ato do rrëzohen. Dhe procesi fillon nga fillimi, por kjo ha shumë muaj. Nga kjo lojë djallëzore e mazhorancës nuk ngrihen organet e KLP dhe KLGJ, duke e shtyrë pafund Vettingun dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ndërkohë kryeministri në mungesë të KLP e KLGJ ka kapur Prokurorinë dhe po bën presion shumë gjyqtarëve në këmbim të ruajtjes së vendit të punës në gjykatë se duhet të firmosin vendimet e Prokurorisë, të cilat po hartohen në zyrën e Arta Markut.