Ballina Bota & Rajoni Pence, takime në Lindjen e Mesme për paqen

Pence, takime në Lindjen e Mesme për paqen

Mbreti Abdullah i Jordanisë shprehu shqetësim në lidhje me vendimin e Uashingtonit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, në bisedime me nënpresidentin amerikan, Mike Pence.
Gjatë ndalesës së dytë në turneun e tij katër-ditor në Lindjen e Mesme, nënpresidenti Pence tha se të dy vendet kishin rënë dakord të mos pajtohen për vendimin e debatueshëm të shpallur muajin e kaluar.
“Miqtë herë pas here kanë mosmarrëveshje dhe ne kemi rënë dakord të mos pajtohemi për njohjen e Jeruzalemit. Ne u pajtuam që të gjitha palët duhet të ulen në tryezë dhe shpresoj ai e kuptoi dëshirën tonë të sinqertë për të rifilluar procesin e paqes”, u tha zoti Pence gazetarëve pas takimit.
Mbreti i tha nënpresidentit se zgjidhja e vetme për konfliktin izraelito-palestinez është një zgjidhje dy shtetesh dhe se Jeruzalemi Lindor duhet të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm palestinez.
Para Jordanisë, Pence vizitoi Kajron, ku premtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Egjiptin në betejën e tij kundër terrorizmit.
Pence u takua edhe me trupat amerikane në rajon para se të shkonte në Izrael, ku ai do të mbajë një fjalim para Parlamentit izraelit Knesset dhe do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Netanjahu tha të dielën në mbledhjen e kabinetit të tij se, zoti Pence është “një mik i madh dhe i vërtetë i Izraelit”. Kryeministri shtoi se ai mendonte se ishte një “turp” që partia kryesore arabe në Knesset ka në plan të bojkojë fjalimin e zotit Pence të hënën.
Vizita e Pence në Lindjen e Mesme është vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar amerikan në rajon që kur Presidenti Donald Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit në dhjetor.
Pence nuk pritet të takohet me udhëheqësit palestinezë.

Exit mobile version