Luksi i drejtorit të Ramës tek AMF, 10 milionë lekë për kafe në zyrën e tij

Pas blerjes së një automjeti luksoz, arredimit modern të zyrës, tani radha vjen edhe për një ekspres kafe. Të gjitha këto shpenzime luksi janë kryer nga Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi. Ditët e fundit, ai ka firmosur një tender për të blerë kafe, për zyrën e tij. Ky autoritet do të shpenzojë plot 8 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 10 milionë me TVSH.
Sipas dokumenteve që të publikuar nga Tpz.al, AMF-ja do të blejë 13.340 kapsula për kafe ekspres. Sipas kërkesave të ish-deputetit socialist, kafeja duhet të jetë në formën e kapsulave dhe e cilësisë së parë. Gjithashtu, kjo sasi kafe të shoqërohet dhe me katër aparate ekspresi për kafe kapsule (plastike), në përdorim gjatë gjithë vitit 2018. “Kafja duhet të jetë e amballazhuar në bustina alumini e mbyllur hermetikisht, që ruajnë shijen dhe aromën. Kafja të jetë e tipit ‘cafe aroma’. Sasia e kafesë të shoqërohet me sheqer, gota plastike dhe shkopa përzierës, për çdo kapsulë. Furnizimi me kafe kapsulë do të kryhet sipas kërkesës se AMF”, thuhet në këto dokumente.
Mësohet se afati i kryerjes së shërbimit nga momenti i shpalljes së fituesit deri më 31 dhjetor 2018. Pak javë më parë Tpz.al publikoi investigimin se drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF), Ervin Koçi ka vendosur të përdorë mbi 61 milionë lekë të vjetra nga buxheti i shtetit për arredimin e zyrës së tij. Zyra e Koçit do të vishet me parket me dru lisi ose ahu të stazhionuar në mënyrë natyrale ose artificiale. Ky lloj parketi është nga më të kushtueshmit, me një vlerë mbi 100 euro/m2, po t’i referohesh çmimit të tregut.
Ndërkohë, Tpz.al denoncoi sesi drejtori i AMF-së u pajis me një makinë super të shtrenjtë, “Mercedes Benz” të vitit 2017, pavarësisht se makina që ai dispononte ishte gjithashtu shumë e re, e vitit 2013. Vlera që “Benz”-it ngjyrë të zezë dhe me xhama të errësuar, i tejkalonte 92 milionë lekë të vjetra.