LSI: Protesta, shpërthim i tensionit shoqëror

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një intervistë televizive lidhur me protestën e 27 janarit dhe gjendjen në vend ka theksuar se protesta është një veprim politiko-shoqëror madhor. Ai tha se kjo protestë nuk është si të tjerat të zhvilluara më parë, sepse ndodh në një moment shumë delikat. Gjithashtu Vasili theksoi se, Rama po bllokon në mënyrë të qëllimshme Reformën në Drejtësi, pasi Kryeministrit nuk i intereson të ketë kontroll europian. Kreu i Grupit parlamentar të LSI theksoi se, Rama po bën një politikë falimentuese për të varfërit dhe privilegjim për oligarkët
“Protesta është një veprim politiko shoqëror madhor. Nuk është si çdo protestë e zhvilluar më parë. Ndodh në një moment shumë delikat për të ardhmen e vendit. Vendi ndodhet një moment tensioni shoqëror. Kemi rastin e protestës së naftëtarëve, protestën e transportit, vrasje e krime në mënyrë të përditshme, ka një shtet të bllokuar që nuk iu jep zgjidhje problemeve, taksa që rriten në mënyrë të vazhdueshme. Një politikë falimentuese për të varfërit dhe priviligjim për të oligarkët. Kësaj i është shtuar edhe bllokimi i qëllimshëm i Reformës në Drejtësi nga Kryeministri. Sabotim i qëllimshëm, i studiuar, i mirëmenduar. Kësaj qeverie i intereson të mos ketë kontroll europian që këto fenomene shumë të rëndë janë të gjitha ato që formësojnë një qëndrim të madh shoqëror dhe politik. Është fillimi i një reagimi pa frikë për të kthyer normalitetin. Janë motive shumë të forta e të vlefshme, ku çdo familje shqiptare e gjen veten në 27 janar”, deklaroi Vasili.
Ai tha se kjo protestë është madhore, pasi jemi përpara një mjerimi që s’ka përgjigje, por indiferencë. “Këtë indiferencë e tregoi e sotmja, kur Kryeministri bisedonte virtualisht me një kategori shumë të sakrifikuar, pra nuk kishte vend në zyrën e tij për këta njerëz që janë robtuar për bukën e gojës. Kryeministri është takuar, ka folur nga afër me shoqatat e riciklimit të plehrave, por nuk kishte mundësi për naftëtarët. Një nga shembujt më të shëmtuar të përbuzjes së kryeministrit ndaj njerëzve të varfër”, tha Vasili.