KLP dhe KLGJ, Bylykbashi: Të hiqen nga lista anëtarët e pakualifikuar

Komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së nga Shoqëria Civile dhe nga radhët e profesorëve ka nisur punimet me debate ditën e sotme. Oerd Bylykbashi i PD-së ka kërkuar të hiqen nga lista e kandidateve anëtarët që janë kualifikuar në kundërshtim me opinionin e ONM.” Me katër vota mund të fusim në listën e kandidatëve për votim, ata që janë përjashtuar nga sekretari i përgjithshëm”, tha Manja. Në përgjigje të Manjës, reagoi deputeti Bylykbashi.
“Personat që Sekretari i Përgjithshëm ka përfshirë në këtë listë janë persona që kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Ata duhet të përjashtohen nga gara. Të mos merremi me emra, por të respektojmë procedurën”, u shpreh deputeti demokrat. Por Manja kundërshtoi heqjen nga lista të anëtarëve të kualifikuar në kundërshtim me opinionin e ONM. “Kemi dy lista, njëra është për votim. Ndërsa lista e të skualifikuarve ka një shpresë. Me 4 vota mund të futet në garë. Ndërsa për heqjen nga gara e atyre që i ka kualifikuar Sekretari i Përgjithshem i Kuvendit nuk mund të bëhet”, është shprehur Manja. Në përgjigje të tij, Bylykbashi deklaroi se vet Komisioni i Ligjeve ka tagrin që të tërheqë anëtarët e kualifikuar jo në përputhje me kriteret e përcaktuara.
“Ky është nënkomision, ka të drejtë të vendosë një padrejtësi që është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm. ONM ka konstatuar që kandidatët nuk plotësojnë kriteret. Ligji i ka hequr çdo diskrecion për të deformuar rekomandimet e ONM. Ju e keni kapur dhe pastruar listën e kandidatëve të KLGJ dhe KLP-së si u ka dash qejfi. Këtë e keni bërë nga frika që ka Edi Rama dhe ju për të mos përfunduar në burg. Po i bini që sot që të kapni SPAK-un që nesër mos ju bjerë SPAK-u pas qafe”, u shpreh Bylykbashi.
Partia Demokratike përmes kryetarit të grupit Spaho u ka dërguar letër drejtuesve të institucioneve shqiptare dhe përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë, duke i vendosur në dijeni sipas tyre për parregullsitë e vërejtura në procesin e kandidimit për anëtarët jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Thelbi i letrës së PD është që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka injoruar, në tejkalim flagrant të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, vlerësimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), duke kualifikuar kandidatë të skualifikuar nga ky organ kushtetues ndërkombëtar për KLGJ dhe KLP. PD kërkon rihapje të procesit për të thirrur profesionistët që të bëhen pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
“Kërkojmë nga kolegët e mazhorancës në nënkomision, marrjen e masave të menjëhershme për të korrigjuar sëbashku shkeljet e konstatuara, dhe për ta gjetur mekanizmin e nevojshëm në përputhje me ligjin për të futur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP në shinat e Kushtetutës dhe Ligjit, si dhe për të thirrur profesionistët më të mirë që të bëhen pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e PD.