FMN rrit parashikimin për ekonominë globale, por për Shqipërinë e ka ulur

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) sapo ka publikuar rishikimin e janarit të “Perspektivës Ekonomike Globale”, ku ka reflektuar në rritje pritshmërinë për rritjen globale në 2018 dhe 2019. Aktiviteti ekonomik global vazhdon të jetë i fortë, thotë raporti. Prodhimi global vlerësohet të jetë rritur me 3.7 për qind në vitin 2017, që është 0.1 pikë përqindjeje më e shpejtë sesa parashikohej në vjeshtë dhe ½ pikë përqindje më e lartë se në vitin 2016. Rimëkëmbja ka qenë e gjerë, me surpriza të dukshme në Evropë dhe Azi. Parashikimet e rritjes globale për 2018 dhe 2019 janë rishikuar në rritje me 0.2 pikë përqindjeje në 3.9 për qind. Rishikimi reflekton momentin e mirë të rritjes globale dhe ndikimin e pritur të ndryshimeve të politikës së taksave të miratuara kohët e fundit nga SHBA. Rreziqet ndaj parashikimit të rritjes globale duken të balancuara gjerësisht në një periudhë afatshkurtër, por mbeten të dobëta në një periudhë afatmesme. Në aspektin pozitiv, rimëkëmbja ciklike mund të rezultojë më e fortë në afatin e afërt, pasi rritja e aktivitetit ekonomik dhe kushtet më të lehta financiare mbështesin njëri-tjetrin. Në aspektin negativ, mbivlerësimet e aseteve ngrenë mundësinë e korrigjimit të tregut financiar, gjë që mund të dëmtojë rritjen dhe besimin. Mund të ketë një rritje më të shpejtë se sa pritej në inflacionin bazë të ekonomive të zhvilluara dhe në normat e interesit, teksa kërkesa përshpejtohet. Politikat e brendshme, tensionet gjeopolitike dhe pasiguria politike në disa vende gjithashtu paraqesin rreziqe negative, thotë raporti.

Ekonominë e Shqipërisë raporti e rishikoi me ulje në tetor

Rishikimi i janarit nuk përfshin listën e zgjeruar të vendeve, por në raportin e tetorit të vitit të kaluar, FMN e rishikoi në ulje rritjen e Shqipërisë në afatin e mesëm, ndërsa për vitin 2017 e mbajti të pandryshuar në 3.7%. Për vitin 2018, pritshmëria për rritje u ul nga 4.1% që ishte në raportin e mëparshëm të prillit në 3.7% dhe në 2019-ën në 3.8%. Deri në vitin 2022, ekonomia nuk pritet të rritet më shumë se 4%. Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, ka pohuar se mbarimi i investimeve të mëdha është arsyeja kryesore për rishikimin në ulje të pritshmërive për rritjen ekonomike. “Ne presim që rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë dhe që rritja vjetore e PBB-së do të arrijë në 4% në afatin e mesëm. Vitet e fundit, rritja është nxitur nga Investimet e Huaja të mëdha Direkte. Cikli i tyre i investimeve do të fillojë të ngadalësohet në 2018-ën. Por, rimëkëmbja e kredisë private, zgjerimi në investimet publike dhe një rritje e besimit pritet që të mbështesin rimëkëmbjen e vazhdueshme”. Ky pesimizëm i FMN-së duket se ka ardhur nga rishikimi i pritshmërive për investimet bruto dhe kërkesën e brendshme. Për kërkesën e brendshme FMN ka ulur parashikimin që për vitin 2017, me minus 0.8 pikë përqindje, në 3.7%. Në dy vitet e mëpasshme, 2017 dhe 2018 ai është ulur me 0.5 pikë përqindje për çdo vit dhe pritet të jetë shumë më i ulët, në 1.4% në 2018-ën dhe 2.1% në 2019-ën. Në të njëjtën linjë janë ulur dhe pritshmëritë për investimet bruto. Për vitin 2018, investimet bruto pritet të arrijnë në 24.5% të PBB-së dhe në 2019-ën në 24.4 (-3% dhe -2.2% më pak). Edhe për 2017-ën FMN pret që rritja e investimeve të jetë 24.8% e PBB, me një ulje prej 3.9 pikë përqindjeje.