Sërish drogë nga Shqipëria në Itali, sekuestrohen 217 kg kanabis në Leçe

Policia italiane sekuestroi dje 217 kg kanabis dhe vuri në pranga dy shqiptarë. Guardia di Finanza e Pulias sekuestroi 217 kg kanabis dhe bëri të mundur arrestimin e shtetasve me iniciale B. K. 37 vjeç dhe A.D. 26 vjeç, të cilët ishin në përgatitje të trafikimit të lëndës narkotike në zonën e Leçes, Itali. Janë në vijim veprimtaritë policore dhe hetimore për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre.
Po ashtu, një sasi tjetër droge është sekuestruar nga policia italiane. Mënyra se si e transportonin drogën ishte e njëjtë: E fshehu në thasë të zinj që përdoren zakonisht për grumbullimin e plehrave. Vlash Isufaj, 37 vjeç dhe nigeriani Lucky Okonoboh, 33 vjeç, u arrestuan pasditen e djeshme. Shqiptari u ndoq nga karabinierët deri në afërsinë e Spitalit në Livorno. Aty, ai zbret nga makina dhe futet në një apartament ku jetonte nigeriani. Policia teksa ndërhyri në banesë, i gjeti të dy duke ndarë drogën, ekzaktësisht 6.2 kg marijuanë dhe i arrestoi.
Më herët gjatë kësaj jave, u arrestuan edhe dy shqiptarë të tjerë, pjesë të së njëjtës bandë, Mariglen Sheraj e Andi Hoxhaj, raportojnë mediat lokale.