Rigjallërimi i sektorit të ndërtimit të banesave, rrezik për perspektivën e rritjes

Shqipëria ka strategji zhvillimi në letër, por nuk ka model ekonomik. Paqëndrueshmëria e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, pesha e ulët specifike e industrisë prodhuese dhe produktiviteti i ulët i ekonomisë në tërësi, tregojnë se Shqipëria nuk po ndjek modelin e duhur ekonomik, shprehet Sherefedin Shehu, ish-zv/ministër i Financave, ekspert i ekonomisë. Shehu thotë se, rritja e ekonomisë shqiptare në vitin 2017 teorikisht është e lartë, por praktikisht ajo nuk ka prodhuar mirëqenie. E njëjta situatë, sipas tij, pritet të vijojë edhe për vitin 2018. “Rritja e ekonomisë shqiptare në vitin 2017 teorikisht është e lartë, por praktikisht ajo nuk ka prodhuar as punësim dhe as mirëqenie. Nga ana tjetër, kjo rritje e lartë ekonomike është nën kapacitetet reale të ekonomisë shqiptare dhe, më e keqja, është se ajo bazohet në dy projekte të mëdha energjetike, hidrocentralet e lumit Devoll dhe Trans Adriatik Pipeline (TAP). Meqenëse kjo rritje nuk është rezultat i ristrukturimit të ekonomisë dhe rritjes së prodhimit industrial, jo vetëm që nuk prodhon mirëqenie, por edhe nuk do të jetë e qëndrueshme në vitet e ardhshme. Përveç politikave të gabuara qeveritare, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e krizës financiare botërore. Përmirësimi i treguesve të kreditimit nuk ka ardhur nga rritja e kreditimit të ekonomisë dhe performancës së saj, por nga ristrukturimi i kredive të këqija. Kështu, ekonomisë vazhdojnë t’i mungojnë investimet private të qëndrueshme, të cilat përbëjnë burimin dhe garancinë kryesore për një rritje ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen. Edhe investimet publike nuk kanë pasur ndikimin të rëndësishëm dhe nuk garantojnë qëndrueshmëri për të ardhmen. Edhe gjatë këtij viti, investimet publike nuk janë realizuar ritmikisht dhe cilësia e tyre vazhdon që të jetë e ulët. Rreth 50% e tyre kryhen për rikonstruksione dhe pajisje zyrash, si dhe për blerje mallrash dhe shërbimesh nga tregu i huaj”, shprehet Shehu. Ai thekson se rreziqet e përshkruara më sipër përbëjnë sfidat kryesore të ekonomisë për vitin 2018. Sipas Shehut shtetarët morën një goditje me dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit dhe efektet negative të tyre do të ndihen në vitin 2018. “Politikëbërësit nuk kanë krijuar mbrojtjen e nevojshme buxhetore për rreziqet, të cilat kanë filluar të japin ndikimin e tyre ende pa filluar vitin 2018. Në këto rrethana, ulja e rritjes ekonomike e vlerësuar nga FMN-ja mund të jetë edhe më e madhe. Politikat ekonomike duhet që të jenë të fokusuara në përdorimin e burimeve natyrore dhe rritjen e vlerës së shtuar brenda vendit. Ato duhet të jenë të miratuara me konsensus të gjerë në një program ekonomik për perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë dhe performanca e secilës qeveri duhet të matet me progresin në zbatimin e tyre. Sektori energjetik duhet të konsiderohet sektori strategjik prioritar dhe të marrë mbështetje të gjithanshme me politika çmimesh favorizuese dhe financime me garanci implicite. Ndër sektorët e tjerë duhen konsideruar prioritarë mbështetja e zhvillimit të integruar të bujqësisë dhe e turizmit. Politikat mbështetëse duhet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Hartimi i këtyre politikave duhet të realizohet nga struktura jopartizane, të cilat duhet të kenë edhe fuqi monitoruese dhe korrigjuese në procesin e zbatimit të tyre”, shprehet Shehu. “Shqipëria ka strategji zhvillimi në letër, por nuk ka model ekonomik. Paqëndrueshmëria e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, pesha e ulët specifike e industrisë prodhuese dhe produktiviteti i ulët i ekonomisë në tërësi tregojnë se Shqipëria nuk po ndjek modelin e duhur ekonomik. Ndërsa rigjallërimi i sektorit të ndërtimit të banesave përbën një rrezik aktual dhe perspektivë të rritjes ekonomike. Rritja e kredisë konsumatore në vitin 2017 paralajmëron një rrezik për vitet e ardhshme, sepse rritja ekonomike dhe e të ardhurave për frymë pritet të jenë të moderuara. Nga ana tjetër, ajo dëshmon për zbatimin e politikave korruptive, me efekte afatshkurtra, të bazuara në motive dhe përfitime politike dhe që akumulojnë rreziqe, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm”, vijon më tej Shehu.