Policia i dhunon, naftëtarët: Grevë si minatorët në 1992

Naftëtarët e ARMO-s janë përballur me dhunën policore gjatë protestës së djeshme në Fier. Me thirrjet “Duam punë!” dhe “Ejani mblidhuni këtu-këtu”, naftëtarët rrethuan Prefekturën e Fierit, duke kërkuar zgjidhje të problemeve të tyre. Naftëtarët kërkonin përgjigje nga prefekti për kërkesat e tyre për vënien në punë të uzinës dhe marrjen e pagave të prapambetura, por ashtu si në protestat e mëparshme, prefekti nuk pranoi të jepte asnjë përgjigje për kërkesat e tyre.
Situata është tensionuar teksa policia nisi t’i shpërndajë me dhunë protestuesit e shumtë që ishin mbledhur para Prefekturës. Forcat e shumta të policisë kanë rrethuar naftëtarët dhe kanë shtyrë me forcë disa prej tyre që të largoheshin nga Prefektura. Naftëtarët janë revoltuar pas dhunës policore dhe bllokuan rrugën, duke marshuar mes për mes qytetit. Si pasojë u bllokua qarkullimi i automjeteve për rreth një orë, duke krijuar kaos.
Më pas, naftëtarët janë shpërndarë qetësisht, duke kërcënuar se do të përshkallëzojnë protestën, duke e zhvendosur atë në Tiranë ditën e hënë.
Një ditë më parë, ata kundërshtuan vendimin e publikuar nga ministri Arben Ahmetaj një ditë më parë për pagesën e papunësisë. Ata kundërshtojnë vendimin e publikuar nga ministri Arben Ahmetaj një ditë më parë për pagesën e papunësisë. “Pagën e papunësisë t’i japë të papunit në shtëpi, ajo është një lëmoshë. Unë s’jam e papunë unë jam e aftë të punoj”, tha një specialiste e naftës. Naftëtarët thanë se, qeveria kërkon t’i regjistrojë si të papunë, duke u dhënë një 110 mijë lekësh, aq sa ministri Ahmetaj harxhon për kafen e mëngjesit.
Naftëtarët kundërshtuan të drejtohen në zyrat e punës për t’u regjistruar si të papunë. Duke e konsideruar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë qesharak dhe tallës, ata paralajmëruan përshkallëzim të protestës.
Janë 1200 punonjës të Rafinerisë së Ballshit dhe të Fierit, që aktualisht janë të papunë, ndërsa kompania IRTC u largua. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ftoi dje të gjithë investitorët e interesuar të sjellin propozimet për Rafineritë e ARMO-s.

Grevë si minatorët në 1992

Naftëtarët kërcënojnë me skenarin e grevës së minatorëve të vitit 1992, ndërsa i kërkuan kryeministrit Rama që t’i marrë seriozisht kërkesat e tyre. “Ne jemi mbledhur sot për të vazhduar protestën tonë shumë paqësore, për t’i thënë zotit Kryeministër merre seriozisht problemin e naftëtarëve, sepse ne do bëjmë atë që bënë minatorët në vitin 1992. Mos u tall më me ne, me familjet tona. Ai kolltuku jot është me votat tona. Ne sot do të vendosim me një lëvizje punëtore, pa udhëheqje, pa politizuar. Mos shpresojë asnjë asnjë parti politike se ne do ta mbështesim. Kurrë! Vërtet zgjidhja jonë do të vijë nëpërmjet politikës, por kurrë mos shpresojë asnjë që ne të bëhemi pjesë e saj. Nëse sot prefekti nuk na kthen përgjigje për dy kërkesat tona kryesore, puna dhe paga e muajit dhjetor, të tjerat vijnë më pas. Zoti Prefekt nëse të ka mbetur një pikë besnikërie, dil dhe thuaj je me ne apo jo?!”, u shpreh një nga protestuesit.
Naftëtarët kanë ndërmarrë një valë protestash që prej muajit dhjetor, pas largimit të shoqërisë IRTC që kishte marrë në përdorim uzinat e ARMO-s. Një ditë më parë, ata kundërshtuan vendimin e publikuar nga ministri Arben Ahmetaj për pagesën e papunësisë.

R.POLISI