Mediat franceze: Shqiptarët gati të vijnë në Francë për të shitur drogë

Imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve sot në Europë është i qartë. Ashtu siç Shqipëria konsiderohet narkoshtet, edhe shqiptarët tashmë cilësohen si narkotrafikantë. “Shqiptarët gati të vijnë në Francë për të shitur drogë”. Ky është titulli i portalit francez “Le Progres”, për trafikantët e drogës mes Shqipërisë e Francës. Ky titull në realitet është marrë nga biseda telefonike mes dy trafikantëve në Saint Etiene të Francës. Kjo bisedë është regjistruar nga policia franceze në rrjetën e së cilës ka rënë “koka e trafikut” në Saint Etiene, një djalë 16 vjeç i quajtur Eraldo Dine. Ky trafikant është kapur të enjten dhe për çudinë e policisë franceze ka qenë i gatshëm të deklaronte gjithçka pa ju trembur syri, ndryshe nga çfarë ndodh shpesh me të tillë persona që aplikojnë para drejtësisë kodin e heshtjes. Përmes kësaj dosjeje, policia franceze ka mundur të kuptojë se “disa individë nga Shqipëria komandojnë trafikun e drogës në Francë…”. Eraldo Dine, pasi ka punuar disa kohë për person tjetër që i jepte urdhra nga një vend i Ballkanit, ka blerë për 7500 euro “postin” e ri që i jepte mundësi të kishte në varësi disa klientë në Sant Etiene, të cilët shpërndajnë/shesin drogën te përdoruesit. Eraldi jetonte e punonte në Saint Etiene, ku kishte strehuar gjithashtu edhe të gjithë shitësit e drogës që kishte në varësi. Eraldi merrte kërkesat përmes telefonatave që i vinin nga përdoruesit dhe menjëherë shitësi i dërgonte me sasinë e kërkuar të drogës. Për të mos rënë në sy, edhe Eraldi edhe shitësit e drogës i ndërronin shumë shpesh numrat e telefonit. Sidoqoftë 7 prej tyre ishin ndjekur nga policia e Sant Etienit gjatë 5 muajve të fundit. Njëri nga shitësit e drogës që u kap në Saint Etiene, i kishte pohuar policisë se “ai ishte rekrutuar në Itali pasi ishte nisur nga Tirana për të shitur drogë në Francë me një pagesë prej 1500-200 euro në muaj…”. Erladi, duke u cilësuar si “koka e trafikut” është dënuar me 7 vjet burg sepse ka rezultuar se ka shitur heroinë gjatë 5 muajve kundrejt një page prej 45 mijë eurosh në muaj. Eraldi ishte një nga nyjet e rrjetit të shpërndarjes së heroinës në Saint Etiene që telekomandohet që nga Tirana.