LSI: Komisioni i Venecias ka kërkuar përjashtimin e emërimeve politike në drejtësi

Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur ambasadorit amerikan Donald Lu për çështjen e kryeprokurorit. Kryetari i Grupit parlamentar Petrit Vasili nëpërmjet një statusi në Facebook thotë se Komisioni i Venecias ka kërkuar konsensus dhe përjashtimin e emërimeve tërësisht politike. “Komisioni i Venecias ka folur qartë në shqip dhe në anglisht për çështjen e kryeprokurorit. Komisioni i Venecias ka kërkuar 1. Konsensus, 2. përjashtimin e emërimeve tërësisht politike. Çfarë kërkon Komisioni i Venecias kërkon edhe opozita sot. Kush ‘harron’ qëllimisht Komisionin e Venecias dhe bëhet bashkautor i një faji të rëndë kushtetues, shkatërron përfundimisht Reformën në Drejtësi dhe legjitimon kapjen e saj nga krimi dhe trafiqet. Komisioni i Venecias ka folur qartë, asnjë komision ligjesh i kapur apo më keq akoma ndonjë mision i huaj nuk mund të dalë mbi Komisionin e Venecias që është institucioni më autoritar në nivel botëror dhe të cilin e kanë falënderuar të gjithë për Reformën në Drejtësi në Shqipëri kanë falënderuar edhe në shqip edhe në anglisht. Po jua rifreskoj memorien me përcaktimet e Komisionit të Venecias kjo është edhe një mundësi për disa për të rifreskuar ndërgjegjen. Gjithashtu, po ju risjellim dhe qëndrimet e Komisionit të Venecias të mbajtura në atë kohë për prokurorin e Përgjithshëm: Nuk ekziston një model i vetëm për zgjedhjen e tyre; njëkohësisht, është e dëshirueshme që këto emërime të rëndësishme të kenë një shkallë të gjerë konsensusi dhe (nëse kjo arrihet) pa komprometuar cilësitë e kandidatit të suksesshëm. Përfshirja e KLP dhe KED në procesin e emërimit përbën një garanci për përjashtimin e emërimeve tërësisht politike të PP dhe ILD edhe në një situatë ku shumica qeverisëse kontrollon 3/5 e votave në Parlament”, shprehet Vasili.