Koha e ekonomisë Trump

Nëse mendoni se viti 2017 ka qenë një vit i mirë për ekonominë amerikane, 2018-ta do të jetë akoma më mirë, sipas parashikimit të Goldman Sachs. Ekonomistët e bankës vlerësojnë se GDP-ja e Shteteve të Bashkuara do të rritet me 2.5 për qind në vitin 2018, krahasuar me 2.2 të vitit 2017. Në vitin 2016, GDP e SHBA-ve u rrit me vëtm 1.6 për qind.
Ekonomia amerikane ka fituar nxitje gjatë vitit të fundit falë plotikave pro-rritjes të politikanëve në Uashington. Indeksi i aksioneve po arrin nivele rekord. Siç është raportuar më parë nga FOX Business, indeksimet e mëdha kanë fituar mbi 20 për qind rritje që pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump nëntorin e kaluar.
Reforma e taksave konsiderohet si elementi thelbësor që ka amplifikuar rritjen ekonomike. Republikani Kevin Brandy tha për FOX Business se, shumica e ekonomistëve besojnë se ekonomia amerikane do të rritet ndjeshëm për shkak të ligjit për taksat. Presidenti Trump dhe republikanët në Kongres kanë marrë në dorë ekonominë amerikane dhe do të përmirësojnë ndjeshëm siglën e partisë së tyre gjatë viteve të ardhshme.
Presidenti dhe liderët republikanë ishin tepër të kënaqur ditën që u miratua shkurtimi masiv i taksave që do të ofrojë çlirim për shumë individë. Ata po shpresojmë që një masë jo shumë e mirëpritur të gjenerojë një sërë benefitesh të jashtëzakonshme ekonmike, përfshirë edhe përshpejtimin e rritjes, paga më të larta dhe fuqi punëtore më produktive. Ata besojnë se kjo do t’i japë fund edhe dërgimit të të ardhurave jashtë vendit nga kompanitë e mëdha.
“Kjo do të thotë se kompanitë do të rikthehen në vend”, tha Trump, teksa republikanët e kënaqur e shihnin atë me admirim në Shtëpinë e Bardhë. “Po e bëjmë Amerikën përsëri të jashtëzakonshme”. Me pak fjalë, republikanët kanë shpresën se mund të marrin ekonominë e dobët të trashëguar nga Barack Obama dhe të riparojnë pjesët e thyera të saj si tkurrja e fuqisë punëtore, të ardhurat e ulëta dhe ulja e produktivitetit.
Nëse arrijnë ta bëjnë këtë, republikanët mund të fillojnë të përmirësojnë shifrat e sondazheve për parashikimin e zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2018 dhe të garantojnë rizgjedhjen e Trumpit për në mandat të dytë në vitin 2020 nëse arrin të mbyllë edhe çështjen e hetimit për Rusinë dhe të shmangë katastrofa të mundshme në politikën e jashtme. Në nuk ia dalin dhe reforma e taksave rezulton të jetë ashtu si kanë parashikuar disa kritikë, demokratët do të përfitojnë dhe do ta përdorin këtë dështim si armë politike gjatë viteve të ardhshme.
Në një mënyrë apo tjetër, tani ka filluar epoka e ekonomisë së republikanëve. “Trump nuk kishte bërë asnjë ndryshim të madh në politikën ekonomike. Kjo ndryshoi kryekëput me reformën e taksave”, thotë Ian Shepherdson, krye ekonomist i Pantheon Macroeconomics. “Një vit më pas, republikanët do të kenë plotësisht në dorë ekonominë”.
Anëtarët republikanë të Kongresit bëjnë me dije se, kur të kaloi koha e përgëzimeve për fitoren, fati i tyre do të ngrihet ose ulet në varësi të impaktit që do të ketë ligji i taksave. “Nëse fitojmë ose dështojmë, do të shihet nga ajo që do të shkruhet nëpër gazeta kur ne të kemi në dorë të gjithë qeverinë”, tha republikani Pat Tiberi i Ohios, kreu i Komitetit të Përbashkët Ekonomik, Gary Cohn, drejtuesi i këshilltarëve për ekonominë kombëtare të Trump, thotë se ndihet mjaft mirë me këtë realitet të ri. “Kjo është ajo që Trump shpresonte të arrinte. Kjo ishte pjesë e fushatës elektorale për të rikthyer begatinë tek punëtorët amerikanë dhe për ta bërë Amerikën një vend konkurrues për rikthimin e kapitalit dhe investimeve”, tha Cohn në një intervistë. “Ne besojmë se kjo do të ndodhë dhe besojnë se për pjesën më të madhe të dekadës së ardhshme do të gjenerojë rritje të të ardhurave nga pagat për vendin”.
Deri në këtë fazë të presidencës së tij, Trump është përballur me shifrat ekonomike dhe normën e rritjen të trashëguar nga ishte Presidenti Obama. Rritja e vendeve të punës është njëlloj, rritja ekonomike është pak më e lartë, por në përputhje me parashikimet që kishin bërë analistët në vitin 2017 përpara zgjedhjes së Trump.
Ekonomistët dhe vëzhguesit e tregjeve janë të ndërgjegjshëm se kjo është një fitore e Trumpit dhe shpresojnë që ligji i ri për taksat do të ketë një ndikim shumë pozitiv në tregun e aksioneve. Por edhe duke përdorur tregun si tregues, performaca e Trumpit gjatë vitit të parë është lehtësisht më e ulët se ajo e Obamës gjatë vitit të tij të parë për shkak se ky i fundit përkoi me fundin e krizës financiare.
Besimi i konsumatorëve dhe bizneseve është në nivel më të lartë nën drejtimin e Trumpit, por që Presidenti dhe republikanët në Kongres të fillojnë të marrin meritat e vërteta politike, shifrat do të duhet të përkthehen në investime të mëdha koorporative dhe të krijojnë vende të reja pune për amerikanët.
Ato do të duhet të rrisin edhe produktivitetin e fuqisë punëtore në mënyrë që të gjenerojnë paga më të larta, jo vetëm të krijojnë rritje afatshkurtër që ta detyrojë Rezervën Federale të SHBA-ve të rrisë normat e interesit dhe për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Republikanët morën lajmin e parë të mirë kur AT&T deklaroi se do t’i japë të gjithë punonjësve bonus prej 1 mijë dollarësh për shkak të miratimit të ligjit për taksat dhe do të rriste buxhetin e shpenzimeve kapitale me 1 miliard dollarë. Deklarata të tilla ka pasur edhe nga kompani të tjera të mëdha për të favorizuar administratën Trump.

Përfitimet e republikanëve nga Trump
Deklaratat e tilla janë kryetituj të mirë, por suksesi i vërtetë ose dështimi i ligjit, sipas analistëve, do të shihet në tre shifra të rëndësishme ekonomike: rritja e pagave, produktivitet dhe pjesëmarrja e fuqisë punëtore. Pagat kanë shfaqur përmirësim dhe po rriten tashmë me 2.5 për qind, pasi kishin vuajtur mjaft gjatë ripërtëritjes ekonomike. Produktiviteti shfaq gjithashtu shenja përmirësimi, ndërkohë që kishte ngecur në 1 për qind gjatë viteve të fundit, një nivel më i ulët se ai i krijuar nga shtresa e mesme e popullsisë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Pjesa koorporative e ligjit të taksave, përfshirë edhe rritjen e shpenzimeve kapitale, ka për synim të nxisë kompanitë të përditësojnë teknologjinë dhe të blejnë pajisje të reja që do t’i lejojnë punonjësit të prodhojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta. Nëse pagat dhe produktiviteti rriten pas ligjit të taksave, kjo do ta bëjë Fed-in të shqetësohet më pak për inflacionin dhe ta lejojë “bumin e Trumpit” të vazhdojë dhe të krijojë benefitet politike që kërkojnë republikanët.
Gjatë fushatës së tij, Trump foli për tkurrjen e fuqisë punëtore. Norma e pjesëmarrjes është në 62.7 për qind, më e ulëta në tre dekadat e fundit. Një pjesë e kësaj shifre reflekton edhe personat që kanë dalë herët në pension dhe nuk kanë ndërmend të rikthehen në punë. Megjithatë, Trump dhe republikanët besojnë se përpjekjet e tyre me ligjin e taksave dhe reforma do të krijojnë ato lloj punësh dhe pagash që do ta nxisin edhe këtë kategori të rikthehet në punë.
Ndërkohë, demokratët po shpresojnë të realizohen paralajmërimet e tyre për ligjin e taksave. Disa ekonomistë në fakt argumentojnë se republikanët kanë bërë më shumë premtime seç duhet për atë që mund të arrijë ligji i taksave, gjë që mund ta fusë Trumpin dhe republikanët në telashe politike. “Presidenti Trump tashmë ka në dorë ekonominë dhe do të gjykohet për mënyrën se si do të ecë ajo gjatë viteve të ardhshme”, thotë Megan Greene, kryeekonomiste e Manulife.

Progresi i FDA-së nën administratën Trump
Pa qenë nën dritat e prozhektorëve dhe pa marrë lavdërime nga mediat, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) është duke arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm nën drejtimin e administratës Trump, duke përmirësuar medikamentet për të ndihmuar amerianët të jetojnë më shëndetshëm dhe më gjatë. Në fakt, FDA-ja sot operon më me eficencë krahasuar me 20 vitet e fundit.
Ky është lajm i mirë për amerikanët, pasi do të përfitojnë më shpejt nga përmirësimi i medikamenteve. Ndër shumë detyra të tjera, FDA-ja rregullon edhe sektorin e inovacionit mjekësor dhe krijimin e terapive të reja në sektorin e bioteknologjisë. Suksesi është se agjencia ka rritur numrin e ilaçeve të reja që lejon në treg me 20 për qind – një rritje e paprecedent gjatë vitit 2017.
Shembulli i parë është ilaçi “Ocrevus” i Roche për sklerozën multiple. Kjo është një sëmundje kronike, inflamatore autoimune që shkatërron komunikimin ndërmjet trurit dhe pjesës tjetër të trupit dhe prek mbi 2.5 milionë amerikanë. Miratimi i këtij ilaçi në muajin mars sjell shpresë të madhe për ata që vuajnë nga sklerozanë format e saj më agresive.
Është vënë re një influks i madh edhe i imunoterapisë së kancerit për të stimuluar sistemin imunitar të trupit të sulmojë qelizat kancerogjene. Këto ilaçe përdoren në vend të kemioterapisë klasike dhe përzierjeve me rrezatim që kanë efekte anësore të padëshiruara dhe afatgjatë. Shumica e doktorëve më të mirë në botë për kancerin mendojnë se imunoterapia është e ardhmja e kurimit të kancerit dhe ka shumë kërkime që tashmë mbështesin këtë teori.
Shumë doktorë amerikanë kanë parë gjatë karrierës së tyre se si vendet e tjera, veçanërisht Evropa, kanë një zhvillim më të shpejtë në lëshimin e ilaçeve të reja novatore për pacientët. Falë mungesës së lidershipit dhe burokracisë së madhe, FDA-ja prej vitesh pengonte avancimin e mjekësisë amerikane.
Emërimi i Scott Gottlieb si komisioner i FDA-së nga ana e administratës Trump ishte një lëvizje brilante dhe i hapi rrugë progresit. Nën drejtimin e tij, mjekësia amerikane po vëren një rritje të konkurrueshmërisë që pritet të ulë çmimin e barnave, ashtu siç ka premtuar Presidenti Trump gjatë fushatës së tij. Për më tepër, kjo qasje e re ësht duke krijuar incentiva për studiuesit e sektorit privat që të sjellin terapi të reja në treg. Për këtë, Amerika duhet të falënderojë Presidentin Trump.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI