Juve nuk është vetëm, garë “gjigantësh” për Emre Can!

Sipas asaj që bën të ditur “The Mirror”, Emre Can i Liverpool ka përfunduar në “radarët” e Manchester City, i identifikuar nga Pep Guardiola si njeriu i duhur për të marrë vendin e Yaya Toure. Futbollisti ka bërë me dije se nuk do të rinovojë kontratën në “Anfield Road”, e cila skadon në qershorin e ardhshëm dhe kjo ka bërë që të fillojë një ankand i mirëfilltë për të marrë shërbimet e tij. Emre Can, që do të jetë i lirë nga çdo lidhje kontraktuale në qershor, pretendon 5 milionë euro në sezon nga klubi që do të marrë shërbimet e tij.
Juventus ishte skuadra që dukej favorite për të marrë Can, por tani duhet të përballet me një konkurrencë të fortë dhe jo vetëm nga Manchester City, pasi edhe Bayern Munich ka nisur të ndjekë pistën që të çon te mesfushori gjerman. Pavarësisht se ka siguruar shërbimet e Leon Goretzka, për sezonin e ardhshëm, bavarezët kërkojnë të kthejnë Can në Bundesliga. Kësisoj, ka nisur një garë e ethshme mes tre “gjigantësh”.