Socialistët e Dibrës ngrihen kundër Ramës: Do tërhiqemi nga PS

Në mbledhjen e Partisë Socialiste dje në Dibër ka pasur debate, ku të pranishëm ishin dhe koordinatorja e PS-së për këtë, ministrja Olta Xhaçka si dhe kryetari i Bashkisë Muharrem Rama. Qytetarët në mbledhje janë ankuar për keqqeverisje nga bashkia e drejtuar nga i zgjedhur i Partisë Socialiste në koalicion me PDIU-në, Muharrem Rama. PS-ja e Dibrës duket se është ndarë në dy kampe, brenda vetes. Në takim mësohet se ka pasur një përplasje mes anëtarëve dhe kryetarit të Bashkisë, Muharrem Ramës. Mësohet se anëtarët e PS-së janë akuzuar për zaptimin e pushtetit nga ana e PDIU-së në këtë bashki. Ka pasur ngritje zërash për punësimet e bëra nga Bashkia të anëtarëve të PDIU-së. Qytetarët u shprehën se të punësuar janë vetëm simpatizantët e PDIU-së dhe se ata nuk gjejnë dot një vend pune. “Ne do të tërhiqemi nga Partia Socialiste, sepse nuk gjejmë dot një vend pune, ndërsa partia e çamëve ka punësuar kë ka dashur”, janë shprehur socialistët në mbledhje. Burimet bëjnë me dije se pothujase gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje kanë akuzuar drejtuesit e PS se nuk kanë mbajtur premtimet, një prej të cilëve është ai i punësimeve. Në qendër të kritikave ka qenë kryebashkiaku Rama, të cilit i kanë kërkuar llogari mbi emërimet e kryera në institucionin që drejton, duke pretenduar se ato i përkasin një tjetër subjekti politik, që sot nuk është në koalicion me PS-në, PDIU-ja. Sipas burimeve, gjatë takimit ministrja Xhaçka është munduar të qetësojë anëtarët socialistë, duke premtuar se do të shqyrtojë pretendimet e ngritura prej tyre. Por edhe ky premtim i Xhaçkës nuk ka qetësuar të pranishmit, ndërsa i kanë kujtuar se e njëjta gjë i është thënë edhe nga i deleguari i mëparshëm, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.