Shifra 300 milionë euro e aferës së Ramës me Beson

Më 2 shtator 2016 Partia Demokratike bëri publik faktin se Edi Rama i dha mikut dhe klientit të tij, Besos së Tajvanit, kompaninë Armo. Në atë kohë, Partia Demokratike deklaroi se kompania e pretenduar nga qeveria si investitor i fuqishëm amerikan ishte një kompani guackë, që përdorej për të mbuluar aferën korruptive me ARMO-n të Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Arben Ahmetajt.
Partia Demokratike paralajmëroi që në shtator 2016, se skema e përdorur nga qeveria për të vjedhur nëpërmjet ARMO-s, do të përfundonte me falimentim, prej të cilit përfitojnë pronarët, Rama, Beso, Gjiknuri, Ahmetaj, por jo shqiptarët.
Gjithçka ne denoncuam po ndodh sot.
Arben Ahmetaj njoftoi falimentimin e kompanisë ARMO dhe nxjerrjen në rrugë të 1200 kryefamiljarëve, pa dhënë llogari pse ka lejuar që ARMO të mos paguajë taksa gjatë kohës së shfrytëzimit nga miku i Edi Ramës.
Gjatë vitit 2017, ARMO prodhoi 156 000 ton naftë me një xhiro prej 200 milionë euro. Nafta u shit, por detyrimet në taksa prej 50 milionë euro nuk u paguan në buxhetin e shtetit.
Përveç kesaj, qeveria e Edi Ramës i ka falur kësaj kompanie edhe 100 milionë euro të tjera detyrime të prapambetura dhe të papaguara në buxhetin e shtetit.
Qeveria mashtroi dhe u dha kohë pronarëve fasadë të largojnë fitimet nga llogaritë, kur në dhjetor 2017, Gjiknuri dhe Ahmetaj garantuan vazhdimin e punës nga kompania dhe pagimin e detyrimeve të prapambetura përfshirë pagat e punonjësve.
Edhe një muaj më parë, Partia Demokratike paralajmëroi që nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë pohim dhe se 1200 familje do të hidheshin në rrugë prej korrupsionit qeveritar të Ramës, Ahmetajt dhe Gjiknurit.
Si një qeveritar që nuk i jep llogari qytetarëve, për shkak të pushtetit të blerë, Ahmetaj u sugjeroi me cinizëm 1200 naftëtarëve të regjistrohen në zyrën e punës për të gjetur punë dhe për të marrë ndihmën ekonomike.
Ky është një rast i rëndë korrupsioni qeveritar ku peshkaqenët jo vetëm gllabëruan naftën e vendit dhe futen në xhepa fitimet nga shitja e saj, por shpallin falimentin dhe hedhin në rrugë të madhe mijëra punonjës.
Ka vetëm një rrugë për 1200 punonjësit dhe familjarët e tyre të hedhur në rrugë. Ka vetëm një rrugë për të gjithë ata që poshtërohen nga qeveria dhe nuk gjejnë zgjidhje prej saj, të bashkohen me opozitën në 27 janar në Tiranë në protestën kundër kësaj qeverie hajdutësh dhe kriminelësh, të cilët për pasurimin e tyre nuk njohin asnjë kufi.

Bllokohet rruga përpara Prefekturës

Naftëtarët e revoltuar u ngritën sërish dje në protestë. Rreth orës 11:15 ata kanë bllokuar segmentin rrugor përpara Prefekturës së Fierit. Naftëtarët kundërshtojnë vendimin e publikuar nga ministri Arben Ahmetaj një ditë më parë për pagesën e papunësisë. “Unë jam forcë pune dhe i kërkoj shtetit dhe qeverisë dhe këtij prefekti që nuk denjon të dalë të na takojë. Ne nuk jemi njerëz pa shkollë, jemi të tërë specialistë me kategori maksimale dhe i përgjigjemi asaj pune. Uzina është në eficencë të plotë dhe ne jemi të gatshëm të punojmë të mos ndërpresin punën asnjë orë”, u shpreh një specialiste e naftës.

Naftëtarët: Votuam PS-në, por na groposi!

Naftëtarët u shprehën ditën e djeshme se, kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës dhe jo trajtimin e tyre me asistencë. Ata i kanë bërë thirrje ministrit Ahmetaj që të vijë në Fier dhe të shikojë gjendjen reale të tyre dhe të kompanisë dhe jo të bëjë deklarata nga Tirana.
“Kërkojmë punë dhe pagat, asgjë tjetër. Për këto arsye është bllokuar rruga. Arben Ahmetaj të vijë këtu në Fier, jo ta mbajë monopol. Dubai, Kuvajti me çfarë bëhen, nafta çanë bllokadën, shikoni si jemi ne si në Indi këtu. Do të ngujohemi këtu, nuk do të lëvizim. Ai mori votat tona. Fieri voton vetëm për PS dhe PS-ja na groposi. Nuk kemi bukë. Ne jemi punonjësit e ARMO-s, ministri tha punonjësit të marrin 110 mijë lekë, por ARMO është gjallë. Ne duam drejtësi dhe drejtësinë ta bëjë Edi Rama. Paratë që ministri të na japë ne, t’i vendosë në dispozicion të kompanisë dhe specialistët që kemi ne do e vendosin në punë. Nëse nuk na jepni zgjidhje na shtypni edhe ne me makinë, ne nuk largohemi”, u shprehën naftëtarët.

“Qeveria po tallet, do të na japë aq lekë sa Ahmetaj harxhon për kafen e mëngjesit”

Naftëtarët e Ballshit dhe të Fieri protestuan sërish dje përpara Prefekturës. Ata kundërshtojnë vendimin e publikuar nga ministri Arben Ahmetaj një ditë më parë për pagesën e papunësisë. “Pagën e papunësisë t’i japë të papunit në shtëpi, ajo është një lëmoshë. Unë s’jam e papunë unë jam e aftë të punoj”, thonë ata.
Ata kundërshtojnë të drejtohen në zyrat e punës për t’u regjistruar si të papunë. Ata deklaruan se, “110 mijë lekë të vjetra në muaj nuk na dalin”. Duke e konsideruar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë qesharak dhe tallës ata paralajmëruan përshkallëzim të protestës.
Një protestuese tha se qeveria kërkon t’i regjistrojë naftëtarët si të papunë, duke u dhënë një 100 mijë lekësh, aq sa ministri Ahmetaj harxhon për kafen e mëngjesit. “Vendimi është qesharak dhe tallës. Jemi specialistë, duam të hapet uzina, pasi shkakton plagë sociale. Jam specialiste prej 40 vitesh në atë uzinë dhe ky vendim i qeverisë dhe ministrit të Financave është tallje me punëtorët. Se atë 100 mijë lekësh, unë nuk e kam dëgjuar shifrën, por këtë e thonë shokët tanë, ministri e ka kafe mëngjesi. Ndërsa ne do të jetojmë, unë do të ushqehem. Unë jam forcë pune dhe i kërkoj shtetit dhe qeverisë dhe këtij prefekti që nuk denjon të dalë të na takojë. Ne nuk jemi njerëz pa shkollë, jemi të tërë specialistë me kategori maksimale dhe i përgjigjemi asaj pune. Uzina është në eficencë të plotë dhe ne jemi të gatshëm të punojmë të mos ndërpresin punën asnjë orë. I kërkoj qeverisë vazhdimësinë e punës. Ajo uzinë të hapet sa më shpejt se është një plagë e madhe sociale. Duam 14 rrogat e prapambetura. Nëse i ndalet rroga kryeministrit një muaj apo prefektit si i duket atij?! Jo më 14 muaj”, u shpreh një specialiste.
Janë 1200 punonjës të Rafinerisë së Ballshit dhe të Fierit që aktualisht janë të papunë, ndërsa kompania IRTC u largua. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ftoi dje të gjithë investitorët e interesuar të sjellin propozimet për Rafineritë e ARMO-s.