
Autorizimi për procedim
1. Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.
2. Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.
3. Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.
4. Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.
5. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje prokurorit.
6. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.
7. Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.
8. Përpara diskutimit të çështjes, kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas, vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.