Neymar gëzon Realin

Marcos Motta, një nga avokatët e Neymar, u intervistua të mërkurën në “Radio Globo” dhe zbuloi se në kontratën e brazilianit me PSG-në nuk ka asnjë klauzolë largimi nga klubi francez. “Unë mund të garantoj se në kontratën e Neymar nuk ka asnjë klauzolë lirimi, as për objektivat, as për përfundimin e sezonit si golashënuesi më i mirë”, tha ai. Neymar nuk po arrin të gjejë në Paris lumturinë që kërkonte me nënshkrimin e tij për klubin e “Parc des Princes”. Pa shkuar më tej, këtë të mërkurë, ai u vërshëllye nga tifozët e tij në ndeshjen ndaj Dijon, teksa nuk lejoi Cavanin të ekzekutonte penalltinë dhe të bëhej golashënuesi më i mirë në historinë e PSG-së.
Neymar, i cili e përfundoi këtë ndeshje me katër gola të shënuar, shkoi në dhomat e zhveshjes dukshëm i zemëruar. Ndërkohë, Florentino Pérez, presidenti i Real Madridit, ka fërkuar duart nga kjo situatë. Braziliani është një dëshirë e vjetër për drejtuesit e “Los Blancos”, të cilët nuk i kanë kursyer lavdet për të, duke u “ushqyer” edhe nga zemërimi i Cristiano Ronaldos… Motta, ekspert në të drejtën ndërkombëtare sportive, ishte avokati që shqyrtoi të gjitha kushtet e kontratës mes Neymar dhe PSG (ai ishte, gjithashtu, njeriu që mbikëqyrte, me kërkesë të Neymar Sr, dokumentacionin e rinovimit të brazilianit me Barçën).
Vetë avokati zbuloi në “Radio Globo” se ndodhi në korrik, kur mori thirrjen e babait të lojtarit për të lexuar kushtet e kontratës me klubin francez: “Babai i Neymar më dërgoi një SMS në mes të korrikut, për të më thënë të shkoja menjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shikuar kontratat”. Më 3 gusht, Neymar u transferua zyrtarisht te PSG për 222 milionë euro.
PSG vazhdon të jetë i papërballueshëm nga askush në sezonin e tanishëm. Numrat e tij trembin edhe më shumë pas “ekspozitës” së fundit në Ligue 1, fitores 8-0 ndaj në Dijon, me Neymarin që realizoi “poker” golash. Falë këtyre tetë golave, ekipi i drejtuar nga Unai Emery arriti kuotën e 100 golave në këtë sezon, në të gjitha garat. Këto gola shpërndahen si më poshtë: 67 në kampionat, 25 në Ligën e Kampionëve, 6 në Kupën e Francës dhe 2 në Superkupën e Francës. Krejt e kundërta ndodh në orbitën e Real Madridit, rivali i parisienëve në raundin e radhës të Champions-it, ku golat po shënohen me pikatore.
Nga ana e tij, ekipi i drejtuar nga Zidane ka arritur të shënojë 68 gola në këtë sezon, në të gjitha garat: 32 në La Liga, 17 në Champions, 9 në Kupën e Mbretit, 5 në Superkupën e Spanjës, 3 në Botërorin e Klubeve dhe 2 në Superkupën europiane. Krahasimi në mes të dhënave të golashënuesve të dy ekipeve është i pafavorshëm në Madrid, jo vetëm nga diferenca e golave (32 më pak kanë të bardhët e Zidane), por edhe për shkak se PSG-ja ka arritur 100 gola, aq shumë, duke luajtur më pak ndeshje se Real Madridi: 29 ka luajtur ekipi i Emery, përkundrejt 33 ndeshjeve të ekipit të Zidanes. Hija e PSG-së sa vjen dhe afrohet mbi “Shtëpinë e Bardhë”…
Nëse u referohemi “tridentë”-ve të dy ekipeve në fjalë, MCN e PSG-së ka realizuar 12 gola më shumë se i gjithë Real Madridi në La Liga. Pra, shifrat mbresëlënëse të parisienëve janë të tilla kryesisht për shkak të “tridentit” të tyre të madh sulmues. Në Ligue 1 Mbappé, Cavani dhe Neymar ndajnë midis tyre 44 gola në 21 javët e kampionatit francez. Këta të tre kanë tashmë 12 gola më shumë se sa ka shënuar i gjithë Real Madridit në 18 javë të kampionatit spanjoll.