LSI: Rama po kërkon të mbrojë me ligj çështjet kriminale

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka akuzuar PS-në se po kërkon të ndërtojë mburojë për çështjet kriminale dhe se tashmë Parlamenti po funksionin si një Parlament i PS-së. Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI dha një deklaratë për mediat, ku e kundërshoi me shumë argumenta, propozimin e paraqitur nga PS për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit në rastet kur Prokuroria kërkon autorizim për arrestimin apo këqyrjen e banesës së deputetëve; sipas PS-së, tani e tutje duhet të kërkohet provë nga Kuvendi tek Prokuroria, kur të kërkohet autorizimi. Ai tha se është e papranueshme të ketë pengesa për drejtësinë në rastet kur deputetë konsiderohen pa imunitet dhe i hapet rruga drejtësisë për çështje të rënda të karakterit të korrupsionit, pastrimit të parave etj. “Jam këtu për një situatë të re, të rëndë politike, e cila ndodh pas propozimeve të fundit të njëanshme, krejtësisht të politizuara dhe në kushtet e një frike të madhe, të paraqitura nga PS-ja për Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Është e qartë për këdo që këto ndryshime në rregullore nuk kanë lidhje me asgjë tjetër, asnjë ngjarje tjetër, fenomen tjetër përveçse me marrjen e masave të forta mbrojtëse nga PS-ja në vijim të logjikës së ndjekur në ish-ministrit Saimir Tahiri, kur PS u bë bllok dhe barrikadë për të ndaluar arrestimin dhe zbardhjen e kësaj çështjeje. Sot, PS kërkon të ndërtojë një mburojë të re, një koracë të pakapërcyeshme, që për çdo çështje korruptive apo të rëndë kriminale që pushtetarë apo deputetë të saj, duke krijuar procedura ndaluese drejtësia të mos funksionojë kurrë mbi ta. Është fare e qartë se, trumbetimi i disa viteve me radhë, duke filluar nga Kryeministri i PS dhe të tjerë çjerrës që kanë folur për frikëra të opozitës, sot çdo shqiptar e ka të qartë se kush ka frikë. Frika është tek pushteti i Kryeministrit që po ndërton një mur të madh mbrojtjeje për aferat që rëndojnë mbi to. Pozicioni i LSI është e qartë: asnjë pengesë për drejtësinë, deputetë konsiderohen pa imunitet dhe i hapet rruga drejtësisë për çështje të rënda të karakterit të korrupsionit, të depozitimit të parave të pista në vende të caktuara dhe “off shore” të caktuara dhe ndaj s’mund të ketë pengesë. Ata që duan alibi kushtetuese për ndryshime me argumenta qesharake, është e qartë se kush ka frikë nga drejtësia”.