Ballina Aktualitet Kushtetuesja rrëzon kërkesën e vrasësit Frrokut për rigjykim

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e vrasësit Frrokut për rigjykim

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Arben Frrokut për rigjykim në lidhje me vrasjen e Komisar Dritan Lamaj. Arben Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në 24 shkurt të vitit 2013.
Pasi u arrestua në Selanik, Frroku u soll në Shqipëri. Por me një vendim të Gjykatës së Apelit ai u la i lirë, duke u arratisur më pas nga vendi. Ishte Gjykata e Lartë ajo e cila e ridënoi me burgim të përjetshëm dhe bëri shpalljen në kërkim të tij. Frroku më pas u arrestua në Holandë.
Duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e Arben Frrokut, e pikërisht ky verdikt është bërë shkak që mbrojtja të hedhë sytë nga Kushtetuesja.
Avokatët argumentuan si shkelje faktin se të njëjtët gjyqtarë që lanë në fuqi dënimin e përjetshëm, në fakt kanë shqyrtuar më herët edhe masën e sigurimit personal. Sipas avokatëve, gjykimi është paragjykuar ndaj dhe vendimi i Gjykatës së Lartë duhet të prishet dhe të rigjykohet.
Gjatë gjykimit, Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm, ndërkohë që me të njëjtat prova, Gjykata e Shkallës së Dytë (Apeli) vendosi burg të përjetshëm. Por vendimi i Shkallës së Parë që i dha atij lirinë, i dha gjithashtu kohë të arratisej nga Shqipëria, edhe pse muaj më vonë u arrestua në Holandë nën një identitet të rremë dhe me dokumentet e një shtetasi grek, të quajtur Renato Tsepa.

Exit mobile version