Kryengritja e Ronaldos

A mund të imagjinoni një Real Madrid pa Cristiano Ronaldon? Zinedine Zidane tha “jo”. Dhe duhet të mendohet se shumë madrilenas përkojnë në mendime me trajnerin e tyre, sepse janë mësuar ta shohin Real Madridin të identifikuar me golat e yllit portugez që nga viti 2009… Deri në këtë sezon. Katër gola të paktë në La Liga përkojnë me një kërkesë të tij për rritje page, gjë me të cilën klubi madrilen, të paktën për momentin, nuk dëshiron të përballet.
CR7 rinovoi për herë të fundit deri në vitin 2021, kohë në të cilën do të jetë 36 vjeç, me një normë fitimi prej 21 milionë eurosh në sezon. Në këtë rinovim, vlefshmëria e kontratës mes Real Madridit dhe yllit të tij u zgjerua, por paratë nuk u prekën. Duket qartë se, në më pak se një vit e gjysmë më vonë, gjërat kanë ndryshuar. Ka një pikë kthese: nënshkrimi i Neymar me PSG-në për 222 milionë euro. Nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, i cili, logjikisht, mori një pagesë mjaft të lartë: 36 milionë euro për secilin nga pesë sezonet, që ai ka nënshkruar me klubin parisien.
Ndikimi i këtij transferimi rekord në futboll ka qenë i pritshëm. Në Europë, pasoja e tij kryesore ka qenë rinovimi i fundit i Messit me Barcelonën, deri në vitin 2021. Data e përfundimit të kontratës së argjentinasit është e njëjtë me atë të Ronaldos me Real Madridin. Një kontratë shumë e lartë financiare, që shpërblen besnikërinë e argjentinasit: 46 milionë euro në sezon. Më shumë se dyfishi i asaj që Cristiano Ronaldo merr aktualisht, edhe pse portugezi ka fituar karshi Messit dy “Topat e Artë” të fundit, dy Champions-it e fundit, veç të tjerash.
Elementi tjetër në këtë ekuacion kompleks vjen nga Azia. Konkretisht, nga Kina, ku gjithashtu, ka lojtarë të shumëpaguar. Shenhua Shangai e ka paguar Carlos Tevezin 38 milionë euro për sezon deri në fund të vitit që shkoi, kur vetë lojtari njoftoi shfuqizimin e kontratës së tij me klubin kinez, për të qenë “me pushime”. Rasti i “Apache” nuk është i izoluar. Dy lojtarë të tjerë, brazilianë dhe argjentinas, Oscar dhe Lavezzi, duke luajtur me gjigantin aziatik, e kalojnë Ronaldon për nga të ardhurat vjetore: 24 me 23 milionë euro, respektivisht. Edhe Hulk (20 milionë euro në vit) është po aty afër. Ashtu si në Europë, ku një lojtar i panjohur për elitën, Kylian Mbappé, fiton 18 milionë euro në vit te PSG-ja. Të gjithë ata përbëjnë renditjen, që e zemëron Cristiano Ronaldon, aq sa kjo mund të bëjë që aventura e “Lusos” në Madrid të përfundojë më herët.
Motrat Katia dhe Elma kanë kërkuar ta ngushëllojnë Ronaldon në mënyrën e tyre në Instagram, duke i bërë thirrje që të rezistojë. Ky ka qenë mesazhi i Katia-s: “Kur erdhe në Lisbonë në moshën 12 vjeç, i mbushur me lot dhe shpresa, thanë se ishe vetëm një tjetër djalosh nga Madeira. Në më pak se pesë vite ke luajtur me ekipin e parë të Sporting. Kur ke luajtur ndeshjet e para me ekipin e parë, kanë thënë se ishe vetëm një talent i ri dhe pak muaj më vonë ke nënshkruar me United. Kur shkove në Angli, thanë se ishe vetëm një premtim. Në gjashtë sezone ka realizuar 118 gola. Kur të mori Real Madrid, kanë thënë se ishe vetëm një emër për të shitur fanella. Nga 2009-a, ke shënuar 422 gola në 418 ndeshje dhe ke thyer çdo rekord që mund të thyeje me klubin. Kur ke marrë Topin e Artë për herë të parë më 2008-ën, kanë thënë se do të ishte i fundit. Ke fituar katër të tjerë. Kur u bëre kapiteni i kombëtares, kanë thënë se ishe një tjetër kapiten pa karakter, pa cilësitë e duhura për të udhëhequr ekipin, më 2016-ën u bëre portugezi i parë që fitonte një Europian”.