Drejtësia e ‘Gencit’!

Partia Demokratike nëpërmjet deputetëve Halimi dhe Alibeaj konstatoi se, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KLGj e KLP është shoqëruar me shumë problematika.
Halimi hodhi poshtë mundësinë e braktisjes së komisionit nga opozita, pasi sipas tij pjesëmarrja e tyre e pengon mazhorancën në tentativën e saj për të kapur sistemin.
“Bojkoti i këtyre proceseve do i japë mazhorancës mundësinë për kapjen e drejtësisë. Me qëndrimin e PD për të marrë pjesë në procesin e ngritjes së organeve të reja të drejtësisë ne i bëjmë një shërbim të madh vendit”, tha deputeti i PD.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i kërkoi opozitës që të ruajë një rol konstruktiv në këtë proces. “Shpresojmë që deri në fund do të luani rolin tuaj konstruktiv në Reformën në Drejtësi”, tha ai.
Më i ashpër në fjalën e tij ishte deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se kandidatët në garë nuk i plotësojnë kushtet dhe disa prej tyre janë të politizuar.
“Fjala e ONM u tha se do të ishte urdhër. Institucioni tha se, tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet, por Sekretari i Kuvendit i kualifikoi, duke thyer ligjin dhe besimin e shqiptarëve. Pse nuk i respektoni ndërkombëtarët. Në rastin e kryeprokurorit ju u betuat për opinionin e tyre, por tani pse nuk e dëgjoni ONM. U nisëm të bënim Reformë në Drejtësi nga Xhoni, Fernando, Hahn dhe Juncer dhe përfundojmë t’u japim shqiptarëve drejtësinë e Gencit”, deklaroi Alibeaj.
Mazhoranca dhe opozita edhe pse mes debatesh më në fund kanë gjetur dakortësi për komisionin Ad-hoc që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit. Vetëm një ditë pas prezantimit të raportit për kandidatët që do të garojnë për t’u bërë pjesë e trupës së KLP-së dhe KLGJ-së, Komisioni i Ligjeve është mbledhur sërish.
Anëtarët në Komisionin e Ligjeve kanë miratuar projekt vendimin për krijimin e nënkomisionit Ad-hoc që do të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të trupës së KLGJ dhe KLP.
Në radhët e mazhorancës në këtë nënkomision do të kemi Ulsi Manjan, në postin e kryetarit dhe deputetet Klotilda Ferhati dhe Vasilika Hysi si anëtare.
Opozita do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së, i cili do të jetë nënkryetar dhe Nasip Naço i LSI-së. Mbledhja e sotme, ku diskutohej për ngritjen e këtyre dy institucioneve të reja në kuadër të Reformës në Drejtësi është shoqëruar me debate mes palëve.
Në mbledhje nuk munguan akuzat nga opozita, e cila theksoi se mazhoranca ka arritur të sigurojë shumicën në vendimmarrjen e KLP, që do t’i garantojë kapjen jo vetëm të kryeprokurorit me mandat të plotë, por edhe të SPAK-ut.
“Ju do të përcaktoni dhe ju do të rendisni nëpërmjet dorashkës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kush do të jenë prokurorët, që nëse dështon Parlamenti me 3/5, që do të thotë konsensus, e keni zgjidhur me renditjen që bën ky Këshilli juaj i Lartë i Prokurorisë. Është ky Këshill i Lartë i Prokurorisë, që ju do ta kapni me dorashkat tuaja, ai që do të përcaktojë se kush do të jenë prokurorët e SPAK-ut. Uji është i korruptuar që në burim. Është ndotur që në burim dhe ky komision dhe nënkomisioni që vjen pas tij, do të përballet pikërisht me këtë llumin antikushtetues që keni prodhur deri më sot”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.
Mazhoranca nuk replikoi, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit paraqiti raportet e tij për kandidatët, mbi të cilat u duk se kishte paqartësi edhe nga vetë mazhoranca.