Bylykbashi: Procesi për zgjedhjen e KLP është i korruptuar politikisht

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti Oerd Bylykbashi shpjegoi skemën se si Partia Socialiste po bëhet gati të vendosë nën kontroll politik institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga ky institucion do të dalë kandidatura për Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të zgjidhet Prokuroria e Posaçme, SPAK, që ka për detyrë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.
Zoti Bylykbashi shpjegoi se Partia Socialiste e ka shtrirë kapjen politike të KLP-së me 11 anëtarë në dy drejtime, duke kontrolluar 5 anëtarët joprokurorë që zgjedh Parlamenti dhe duke kontrolluar proçesin e zgjedhjes së 6 prokurorëve nëpërmjet presionit të Kryeprokurores së Përkohshme antikushtetuese.
Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se. proçesi është korruptuar politikisht, që kur në ligj u vendosën filtra antikushtetues, që penguan konkurimin e lirë të juristëve avokatë, pedagogë dhe Shoqërisë Civile për 5 anëtarët joprokurorë.
Oerd Bylykbashi kujtoi se, Gjykata Kushtetuese në shumicë 4 me 3, e cilësoi antikushtues filtrin e vendosur nga mazhoranca në ligj, por numri 5 për ta rrëzuar zyrtarisht nuk u arrit, sepse Partia Socialiste bllokoi plotësimin e dy vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese, duke mos e mbledhur asnjëherë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që bën renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti Bylykbashi theksoi se veprimet e Partisë Socialiste për kapjen politike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmuan me emërimin kundër përcaktimeve të Kushtetutës të kryeprokurores së Përkohshme, nëpërmjet të cilës synojnë të kontrollojnë shumicën e 6 anëtarëve të tjerë prokurorë.
Oerd Bylykbashi shpjegoi se lëvizjet joligjore që Kryeprokuroja e Përkohshme antikushtetuese po bën në Prokurori, janë sinjali më i qartë i presionit ndaj prokurorëve. Bylykbashi tha se në një sistem “de facto” të centralizuar, prokurorët nën presionin e lëvizjes nga vendi i punës do të votojnë sipas udhrave të një kryeprokuroreje politike, pa mandat, sepse është emëruar pa vetting dhe jo me 3/5-at.
Deputeti Bylykbashi tha se me shumicën e KLP nën kontroll politik, qeveria nuk do të jetë e interesuar për konsensus në Parlament, por do të përcaktojë vetë se kush do të jetë Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kujt do të përbehet Prokuroria e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Oerd Bylykbashi tha se, kapja politike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Edi Rama shpreh frikën e tij se një drejtësi e pakontrolluar prej tij do të përplaste pas hekurave të burgut anëtarët e qeverisë dhe kriminelët që kanë pas.