Bushi i Ramës, 70 milionë lekë në muaj nga furrat e gëlqeres!

Furrat e gëlqeres në Krujë dhe Fushë-Krujë vijojnë pa ndërprerje aktivitetin e tyre, duke çliruar gazra dhe tymëra helmues që janë një burim i përhershëm sëmundjesh të rënda. Kryeministri Rama premtoi gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, se do t‘i mbyllte të gjitha furrat e gëlqeres kur të vinte PS në pushtet, por sapo mori drejtimin e qeverisë furrat jo vetëm që nuk u mbyllën, por u shtuan edhe më tepër dhe numri i tyre po rritet çdo ditë e më shumë.
Rama jo vetëm që nuk i mbylli, por i lejoi fushë të lirë veprimi kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, që të rriste numrin e furrave të gëlqeres. Ato tashmë e kanë shtrirë aktivitetin e tyre deri pranë rrugës nacionale Krujë – Fushë Krujë në mes të masivëve me pisha, të cilët jo rrallë përdoren si lëndë djegëse nëpër furra sëbashku me goma makinash, mbetje të ndryshme plastike etj.

Furrat e gëlqeres të klanit Bushi

Një qytetar i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi lejon furrat e gëlqeres në Krujë, pasi fut në xhep 70 milionë lekë në muaj prej tyre. Ai shkruan se drejtorët dhe inspektorët i lejojnë vetë furrat, pasi i çojnë miliona lekë klanit të Bushit. “Lexoni si mbush xhepat me 100 gropat e gëlqeres Bushi i Ramës!”, shkruan Berisha.
“Mirëmbrëma, ju uroj shëndet. Gjithmonë flitet për mbylljen e gropave të djegies së gëlqeres në territorin e Bashkisë Krujë se dëmtojnë shëndetin, ambientin dhe shkaktojnë dëm ekologjik. Mbyllja është e pamundur se sekserët e bashkisë ose drejtorë drejtorishë në Bashkinë Krujë që janë një me kryetarin e bashkisë, zotin Artur Bushi shkojnë në çdo gropë gëlqerje e mbledhin nga 500 deri 700 mijë lekë të vjetra për çdo gropë që digjet. Këta drejtorë të fortë me foristrada nga klerinku me hashash i vërsulen gëlqerexhive e kështu çdo aksion dështon dhe e pakta është 100 gropa i çojnë klanit të kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi 70 milionë lekë të vjetra në xhep”, shkruan qytetari.

Gazrat helmuese arrijnë deri në Tiranë

Gazrat helmuese arrijnë deri në Tiranë, duke shkaktuar një ndotje të paimagjinueshme. Situata vazhdon të përkeqësohet në mënyre drastike. Sipas ligjit, ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. Por i gjithë ky aktivitet i paligjshëm lejohet nga drejtuesit e bashkive Krujë e Fushë Krujë, pasi ata marrin përqindjen e tyre të fitimeve.
Edhe policia dhe instancat përkatëse çuditërisht heshtin dhe herë pas here japin njoftime të rreme për gjoja mbyllje të kaq e aq furrave. Një pronar tha se paguan 500 mijë lekë ryshfet çdo muaj në mënyrë që të vijojë të prodhojë gëlqere i qetë. Ndërkohë, mitmarrësit janë vetë drejtuesit e bashkive, inspektorë të Mjedisit dhe Pyjeve, si dhe punonjës policie.
Deri tani numri i furrave ka shkuar në mbi 100. Numri i tyre shtohet dita-ditës, ndërsa duke rrezikuar jetë njerëzish. Këto furra digjnin goma të përdorura, të cilat çlirojnë në ajër dy helme të rrezikshme, dioksinë dhe furanë. Ato kanë një rreze të gjerë veprimi, që mund të arrijë në 50 kilometër. Pra, ndotja nuk bëhet vetëm në Krujë, por edhe në Tiranë dhe zonat përreth.

R.POLISI