Bora bllokon Dukagjinin dhe Librazhdin

Moti i keq dhe reshjet e dendura të borës dhe shiut kanë sjellë probleme në zonën e Dukagjinit. Si pasojë e reshjeve të shiut, ka patur rrëshkitje të dherave dhe gurëve në rrugë. Mësohet se masivë të mëdha dheu kanë bllokuar rrugën në afërsi të fshatit Prekal, duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve. Mësohet për rreth 30 automjete kanë mbetur të bllokuar për rreth 12 orë.
Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë dhe të mirëmbajtjes, të cilët punuan për pastrimin e rrugës, dhe mundësimin e lëvizjes së mjeteve. Si pasojë e rrëshkitjes së dherave dhe gurëve në rrugë, duke lënë në pritje dhjetëra automjete, si dhe duke bllokuar lidhjen e fshatrave me njëri-tjetrin. Në disa zona për shkak të temperaturave të ulëta, ka patur edhe reshje dëbore.
Reshjet e dendura të borës që kanë ranë gjatë natës, duke mbuluar fshatrat malore të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit, kanë sjellë probleme në disa segmente rrugore. Trashësia e borës shkon nga 5 deri në 10 cm.
Disa segmente të rrugëve rurale paraqesin vështirësi për momentin, ndonëse reshjet janë ndërprerë. Situatë më problematike raportohet në aksin Lunik-Stëblevë në Bashkinë Librazhd, pasi në Zgosht ka pasur rrëshkitje të tokës.
Ndërkohë që aksi kombëtar Prrenjas-Qafë Thanë është i kalueshëm. Gjatë natës, trashesia e dëborës arriti 5 cm, ndërsa raportohet se është hedhur kripë dhe skorje për të evituar rrezikun nga ngricat, shkruan gsh.
Gjithashtu, nga përkeqësimi i motit shoqëruar me stuhi u krijuan probleme në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të rrethit të Librazhdit.
Më problematike, situata u paraqit në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit. Fshatrat Vehçan, Çerçan, Xhyrë, Buzgarë dhe Kokrevë, mbeten pa energji prej mëngjesit të së mërkurës. Energjia sipas banorëve është rikthyer vetëm 30 minuta në mesditën e djeshme. Mungesa e investimeve në rrjetin shpërndarës në këtë zonë sipas banorëve të kësaj zone shoqërohet me stakimin e energjisë në çdo kohë kur përkeqësohet moti.