Antonio Conte ka qenë shumë i nevrikosur në fund të ndeshjes së Kupës së Anglisë kundër Norwich, ku skuadra e tij u kualifikua vetëm pas penalltive. Trajneri italian i Chelsea ankohet se nuk është përdorur si duhet VAR (moviola në fushë). “Mendoj se duhet të përmirësojmë këtë sistem gjykimi, nëse kemi vendosur ta aplikojmë, tha trajneri i londinezëve. Në rastin e Willian ishte një penallti e dukshme që do të sillte golin e dytë për ne. Ndërsa gjyqtari vendosi të ndëshkojë lojtarin tonë, si shenjë që nuk ka pasur asnjë dyshim për episodin. Pamjet filmike treguan se ky ishte një gabim i madh”.
“Për të aplikuar në mënyrë korrekte sistemin e VAR duhet të jemi të sigurt 100%, vazhdoi Conte në deklaratën e tij. Ata që ndjekin ndeshjen në TV duhet të ndihmojë gjyqtarin, ndryshe nga çfarë ndodhi në rastin e Willian. Sigurisht që vendimi i fundit i takon gjyqtarit, por VAR është ta ndihmojë të mos gabojë. Nëse gjyqtari nuk shkon të shohë vetë episodin në video, atëherë është gjithçka e kotë. Në Itali, përpara se të aplikonin VAR u bënë disa eksperimente. Në Angli janë shumë prapa në këtë temë. Duhet të gjejnë mënyrën e duhur për ta përdorur”.