UEFA: Zero tolerancë politikës në Federatë

Në prag të zgjedhjeve në Federatën e Futbollit Shqiptar UEFA ka lëshuar një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë. Gara për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit po hyn në një pikë të nxehtë, me gjithçka ndodh në sipërfaqe dhe nën të. Në një intervistë eksklusive për “Top Channel”, Pedro Pinto ish-gazetar i njohur i CNN dhe sot drejtor i komunikimit në UEFA, tregon për herë të parë qëndrimin e “qeverisë europiane të futbollit” për garën në FSHF dhe fushatën që po paraprin këtë proces zgjedhor. Në Nion të Zvicrës, godina moderne e UEFA-s ngjan e ftohtë, njësoj si emocionet e portugezit Pedro Pinto, ish-gazetari sportiv i CNN, që sot drejton zyrën e komunikimit të UEFA-s. Dikur gazetar, me detyrën për të bërë sa më shumë pyetje, sot Pedro nuk na lejon më shumë se 3. Zëdhënësi i UEFA-s, vartës i Pedros, rri pas kameras dhe na tërheq vëmendjen, kur bëjmë pyetjen e katërt. Pedro Pinto, drejtor i komunikimit të UEFA-s, flet në emër të presidentit Aleksandër Ceferin dhe mesazhi që do të përcjellë është vetëm një: UEFA po ndjek me vëmendje çfarë po ndodh në Shqipëri.

-Çfarë mund të thoni në përgjithësi për Federatën dhe Futbollin Shqiptar? Çfarë është bërë mirë dhe duhet bërë më mirë?
Mendoj që është e drejtë që të themi se ky është një moment i artë për futbollin sqhiptar. Përfaqësuesja shqiptare arriti që të kualifikohet në finalet e kampionatit europian dhe përpos kësaj, kjo skuadër bëri një paraqitje shumë të mirë edhe në kualifikueset e botërorit. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe përmirësimin e dukshëm të rezultateve me ekipet kombëtare të moshave apo ndërhyrjet e dukshme në infrastrukturë. Në total mund të themi se Federata Shqiptare e Futbollit ka shkuar drejt një modernizimi dhe përfshirja e saj në programet e UEFA-s, siç është edhe projekti grassruts tregon qartë përmirësimet e këtij institucioni të futbollit shqiptar. Ne përsërisim që kjo gjë të vazhdojë.

-A keni ndonjë informacion rreth zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit?
Sigurisht UEFA është e informuar për atë që po ndodh me zgjedhjet e datës 7 shkurt. Ne jemi në dijeni që janë dy kandidat, mbetetmi gjatë gjithë kohës në kontakt edhe me FIFA-n, duke grumbulluar paralelisht informacione nga terreni për t’u siguruar që gjithçka të shkojë ashtu si duhet.

-Në rast të ndërhyrjeve politike, cili është qëndrimi i UEFA-s?
Pozicionimi i UEFA-s në ndërhyrjet politike është shumë i qartë, 0 tolerancë. Kjo është pjesë e statutit të UEFA-s, statutit të FIFIA-s ashtu siç edhe ju e dini, për këtë arsye ne nuk do të lejomë asnjë ndërhyrje të politikës në çdo formë të futbollit. Sa i përket procesit të zgjedhjeve UEFA do të sjellë në Shqipëri një grup të fortë delegatësh që do të ndjekin procedurat dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit. Do të na duhet të sigurojmë kryesisht që delegatët të mos ndjejnë asnjë presion gjatë procesit të votimit dhe që vota të mbetet sekrete. Ne do të monitorojmë situatën nga shumë afër që çdo gjë që parashikon rregullorja të ndiqet dhe më pas do të kemi një raport nga delagatët tanë. Vetëm pas këtij procesi UEFA do të vlerësojë situatën.

-A ka Shqipëria rrezik të përfundojë si Spanja dhe Greqia ku ka patur ndërhyrje të politikës në zgjedhje?
Nuk do të donim të krahasonim asnjë situatë që ka ndodhur në vende të tjera, të vetmen gjë që dua të them është se do të ketë 0 tolerancë nga çdo ndërhyrje politike në çdo nivel të futbollit dhe procesi zgjedhor është një nivel futbolli në këtë rast, për këtë arsye do të ketë 0 tolerancë.
Box poshte
Alarmi i UEFA-s për mafien e futbollit në Shqipëri
UEFA ka dhënë alarmin se, në Shqipëri grupet mafioze prej kohësh po investojnë në futbollin shqiptar për pastrimin e parave. Një përfaqësues i UEFA-s është takuar pak kohë më parë me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, ku është kërkuar fillimi i hetimit për procesin e trukimit të ndeshjeve në vendin tonë, e veçanërisht në investimet e bëra për klubet e futbollit.
Përfaqësuesit e futbollit europian kanë paraqitur të dhëna, sipas të cilave grupe mafioze e kriminale prej kohësh kanë investuar shuma të mëdha parash në klubet e futbollit me synim pastrimin e tyre.
Gara për Federatën e Futbollit ka marrë një tjetër kthesë. Në lojë ka hyrë qeveria. Rama ka nominuar si të besuarin e tij për këtë pozicion, Bashkim Finon. Deputeti socialist duhet të lërë mandatin për të marrë drejtimin e Federatës. Fino është sportdashës. Miqtë e tij thonë se, në shtëpi mban dy ekranë të mëdhenj ku vendos baste me orë të zgjatura përgjatë gjithë ditës. Nuk është i vetmi në qeveri që e shikon futbollin si bixhoz. Ish-Kryeministri e ka akuzuar Olsi Ramën që sot është një nga drejtuesit kryesorë të Partizanit se kontrollojnë rrjetin e Lojërave të Fatit, përfshi edhe ato të basteve. Më pas vjen Presidenti i “Partzianit”, i cili në të njëjtën kohë që drejton ekipin e njohur ka edhe një pikë bastesh në pronësi të tij.
Duket se infrastrukturës futboll-bixhoz i shtohet edhe një detaj tjetër, i cili nuk i mungon familjes kryeministrore. Bëhet fjalë për bankat e regjistruara në parajsat fiskale që mund të bëjnë transferta të majme të parave nga ky biznes i futbollit pa dhënë hesap dhe llogari. Për këtë mjafton Banka e Lindës. E regjistruar në ishujt of-shore dhe me ortakë misteriozë ajo i plotëson të gjitha kushtet për kryerjen e një operacioni të plotë të pastrimit të parave. Mos harroni. Drejtuesi i Interpol thotë se ne kemi me qindra, miliardë dollarë në vit që shkojnë për mafien e futbollit.