Ballina Bota & Rajoni SHBA dhe Kina shpresojnë që Pheniani të ndryshojë qëndrim

SHBA dhe Kina shpresojnë që Pheniani të ndryshojë qëndrim

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping, shpresojnë se takimet e kohëve të fundit mes zyrtarëve të Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut do të çojnë në një ndryshim në “sjelljen destruktive” të Phenianit lidhur me armët bërthamore.
Të dy udhëheqësit biseduan të hënën dhe vunë në dukje bisedimet e fundit ndërkoreane që çuan në vendimin e Koresë së Veriut për të dërguar atletë dhe një orkestër në Korenë e Jugut për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen muajin e ardhshëm. Shtëpia e Bardhë tha se,zoti Trump dhe zoti Xi shpresojnë se kontakti i pazakontë mes dy Koreve do të çojë në ndryshime në provat me armë të Koresë së Veriut.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump tha se, “është i angazhuar për të mbështetur fushatën globale të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për presionin maksimal për të detyruar Korenë e Veriut të angazhohet për çnuklearizimin”.
Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu dhe për çështjet tregtare. Zoti Trump ka shprehur “zhgënjimin që defiçiti tregtar i Shteteve të Bashkuara me Kinën vazhdon të rritet”. Ai përsëriti se kjo gjë nuk mund të vazhdojë më.
Defiçiti kronik tregtar i SHBA-së me Kinën arriti një total prej më shumë se 371 miliardë dollarësh gjatë vitit të kaluar, që do të thotë se SHBA-ja po importon më shumë mallra nga Kina, krahasuar me produktet që po eksporton në këtë vend.

 

Exit mobile version