Pas Tiranës, edhe Korça rritje të çmimit të ujit

Pas Tiranës, bashkitë e majta kanë nisur me radhë rritjen e çmimit të ujit. I njëjti vendim është marrë edhe në Bashkinë e Korçës. Enti Rregullator i Ujit ka vendosur rritjen e tarifave të ujit për qytetin e Korçës, që deri më tani aplikonte tarifat më të larta në të gjithë vendin. Vendimi mban datën 29 dhjetor 2017, ndërkohë që do t’i shtrijë efektet prej muajit janar. Referuar dokumentit, rritja do të aplikohet si për ujin e pijshëm, ashtu dhe për ujërat e ndotura. Ndërkohë që rritje ka pësuar edhe tarifa fikse që paguajnë abonentët, duke shkuar në 140 lekë nga 120 lekë që ishte deri më tani.
Më konkretisht, abonentët familjarë do të tarifohen 7 lekë/m3 më shtrenjtë për furnizimin me ujë dhe 8 lekë më shumë për ujërat e ndotura, çka do të thotë se këto dy tarifa shkojnë respektivisht në 72 lekë/m3 dhe 42 lekë/m3. Të njëjtën rritje e kanë pësuar edhe institucionet buxhetore, të cilët nga muaji janar do të paguajnë 117 lekë/m3 për ujin e pijshëm dhe 64 lekë/m3 për ujërat e ndotura.
Të vetmit që nuk preken nga ndryshimi janë entet private, të cilët do të vijojnë të paguajnë 140 lekë/m3 për ujin e pijshëm, ndonëse atyre u reflektohet një rritje me 8 lekë/m3 për ujërat e ndotura. Në prag në nisjes së reformës në sektorin e ujit, janë një sërë kompanish që kanë aplikuar për rritje çmimi, duke bazuar kërkesën në nevojën për investime dhe rritjen e kohës së furnizimit me ujë.
Ndërkohë që, në rastin e Ujësjellës-Kanalizime Korçë, që furnizon abonentët 24 orë me ujë të pijshëm, rritja e çmimit u kërkua për shkak se në vitin 2019 Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka detyrimin për të shlyer apo për të filluar kthimin e të gjitha kredive që ka marrë nga donatorët. Gjatë kohës së miratimit në Këshillin Bashkiak të qytetit juglindor, rritja u kundërshtua nga këshilltarët e djathtë, duke argumentuar se kjo do të rëndojë xhepat e qytetarëve.

Rritje të çmimit të ujit edhe Bashkia e Durrësit

Ndërkohë që bëri shumë bujë vendimi i Bashkisë së kryeqytetit për rritjen e tarifave të ujit të pijshëm, pa bujë fare, një gjë e tillë ka ndodhur në Durrës. Madje, duke miratuar tarifa edhe më të larta se ato të Tiranës, për të cilat në opinion dhe në Këshillin Bashkiak pati sherre të vazhdueshme, edhe mes forcave politike. Enti Rregullator i Ujit ka miratuar aplikimin e Ujësjellësit të Durrësit për rritjen e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm për këtë qytet. Kërkesa pati marrë më parë dhe opinionin pozitiv të Këshillit Bashkikak të Durrësit.
Sipas vendimit të Entit, rritja më e madhe është për konsumatorët familjarë, për të cilët një metër kub ujë do të kushtojë 70 lekë nga 61 lekë që ishte. Ndërkohë për bizneset dhe sektorin publik, rritja është 5 lekë për metër kub. Paralelisht fatura e ujit ka pësuar rritje edhe për pjesën e kanalizimeve. Për familjarët, tarifa shkon nga 37 lekë për metër kub në 50 lekë/m3. Rritje më të moderuar ka dhe për biznesin dhe sektorin publik. Njëkohësisht çdo klient do të paguajë 100 lekë në muaj si tarifë fikse. Këto tarifa kanë si objektiv sipas Entit Rregullator të Ujit, uljen e humbjeve, një furnizim për 7 orë e gjysmë në ditë me ujë dhe rritjen e arkëtimeve.