Pas Tahirit, po mbyllen edhe dosjet e Vangjush Dakos

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, akuzoi edhe një herë qeverinë se po kërkon të kontrollojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai tha se, kryeministri Rama me zgjedhjen e Kryeprokurores së Përkohshme shkeli me dy këmbë Kushtetutën. Por sipas tij, nuk do të ndalet këtu pasi do përpiqet të kontrollojë dhe KLP-në për të mbrojtur veten dhe njerëzit e tij nga drejtësia.
“Jemi pëpara shkeljesh të shumta. Vendosja e Prokurores së Përkoshme është dhunim skandaloz i Kushtetutës, sepse ajo nuk e njeh. Ka pasur lëvizje masive në Prokurori. Ka bërë shkarkim prokurorësh me funksion të rregullt. Mesazhi ishte i pastër: kjo ju vendos karrierën, ju degdis nga Tiranë në periferi të Shqipërisë. Mazhoranca synon kapjen e KLP-së.
Në këtë moment askush nga prokurorët nuk e ka kaluar vettingun. Kryeprokurori i Përkohshëm ka kompetencën të përgatisë dosjen për çdo prokuror, por edhe atë të atyre që janë kandidatë për KLP.
Zgjedhja me një dhunë brutale në raport me Kushtetutën nuk është kaq e pamenduar. Është një skenar që të krijohet imuniteti për Ramën dhe njerëzit e tij që mos hetohen për 10-15 vitet e ardhshme. Do nxjerrin ata anëtarë KLP-je që do i duhen mazhorancës. Se në një kohë kaq të shkurtër iu dha pasaporta e Saimir Tahirit, u lirua Orest Sota, po mbyllen dosjet e Vangjush Dakos”, tha Bylykbashi.