Nga BBC te NHL

Një galaktikë tjetër është e mundur të materializohet te Real Madridi. Në këtë mes është Florentino Pérez, që verën e kaluar u përpoq të rekrutonte një yll të ri për planin e rinovimit galaktik, që ai kishte pasur në mendje për disa kohë. Mbappé ishte i zgjedhuri, por nënshkrimi me të nuk u materializua. Tani, përpjekjet për të afruar yje të tjerë të rinj janë duke u zhvilluar, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të ekipit. Pas PSG (Neymar dhe Mbappé) dhe Barçës (Dembelé dhe Coutinho), duket se verën e ardhshme është kthesa e Real Madridit, i cili do të fillojë të formojë një “trident” luksoz. “BBC” i ka të numëruara ditët, ndoshta jo në tërësinë e vet, në afatin e shkurtër, por Florentino Perez duket të jetë i qartë se ka ardhur koha për të dhënë një shtysë të re në sulmin e Real Madridit.
Shpresa është maksimale, duke marrë parasysh precedentët e presidentit të bardhë, i gatshëm për të shqyrtuar e realizuar projektin e tij të tretë madhor te Real Madridi. Së pari me Figo, Zidane, Ronaldo dhe Beckham. Më pas, ai u kthye në një mënyrë të madhe, duke paraqitur Kaka, Cristiano Ronaldo dhe Benzema në vetëm 10 ditë. Një “trident” që do të rikompozohej pas ardhjes së Gareth Bale dhe largimit të brazilianit. Tani gjithçka është gati për të mirëpritur galaktikët e rinj. I pari në listë është Neymar. Do të ishte prurja më e goditur e konstelacionit të ri. Është qëllimi i madh, ëndrra që Florentino Perez dëshiron të bëjë realitet.
Neymar vetë ndryshoi tregun e futbollit me transferimin nga Barcelona te PSG, për 222 milionë euro. Për ta nxjerrë jashtë PSG-së, një vit pas mbërritjes së tij, nuk do të jetë e lehtë. Emri tjetër që është në tryezën e Florentino Pérez është Hazard, lojtari i shijeve të Zidane, që i plotëson të gjitha kërkesat për të qenë galaktik. Pas lëvizjeve të fundit të merkatos, ai shihet si një nga yjet e arritshëm. Sulmuesi belg është një nga kandidatët për të qenë pjesë e “frizurës” së re, që Florentino Perez dëshiron te Real Madridi.
Lewandowski është emri tjetër i duhur i planit të ardhshëm të Real Madridit. Me merkaton revolucionare dhe me përpjekjet ekonomike që Real Madridi do të detyrohej të bënte për të sjellë “galacticos” të rinj, sulmuesi i Bayern Munich është një luks. Kuptohet, Real Madridi mund ta përballojë financiarisht, për të përforcuar qendrën e sulmit të vet. Lewandowski është një tjetër aspiratë e vjetër e Florentino Perez, i cili tashmë e ka tentuar atë edhe në raste të tjera.
Për vetë lojtarin (ai do të mbushë 30 vjeç në gusht) do të ishte “qershia mbi tortë” në karrierën e tij kalimi te “Los Blancos”, por gjithçka do të varet nga Bayern Munich, nëse do të donte të negocionte dhe nëse do ta bënte, brenda shifrave të arsyeshme. Në këtë pozicion janë gjithashtu në listën e dëshirave të Perez edhe Kane me Icardi. Të dy kanë statusin e duhur galaktik, sidomos sulmuesi i Tottenhamit.