Naftëtarët: Nëse vjen Beso do të hedhim uzinën në erë

“Do të hedhim uzinën në erë, nëse ata që na shkelën dhe na shtypën si Beso Sulaj vijnë sërish në uzinë”. Ky është paralajmërimi i fortë që kanë bërë dje naftëtarët e ARMO-s për qeverinë. Ata janë shprehur kundër deklaratës së Ramës, i cili u bëri thirrje naftëtarëve që të përgatisin dokumentacionin për të fituar statusin e të papunit. Minatorët kërkojnë rivënien e uzinës në punë dhe marrjen e pagave. Po ashtu, naftëtarët shprehen se disa përfaqësues të Sindikatës po bëjnë lojë të pistë, duke dalë në mbështetje të qeverisë dhe të biznesmenit Besnik Sulaj.
Naftëtarët thonë se, Sindikata është duke bërë lojën e biznesmenit Bensik Sulaj, ndërsa apelojnë që kryeministri i vendit Edi Rama të japë zgjidhje, dhe jo t’i çojë drejt vëllavrasjes. “Sindikata po vazhdon ende të bëjë lojën e hajdutëve si Beso Sulaj. Me paturpësinë më të madhe sot u shfaqën duke thënë se IRTC ka lekët të blejë naftën që të punojë uzina. Nga ana tjetër IRTC u shpreh në ministri se do marrë kredi për të na dhënë pagën”, shprehen ata.
Një përfaqësi naftëtarësh u janë drejtuar të gjithë naftarëve të Ballshit dhe të Fierit, me anë të një letre që të mos bien pre e lojës së qeverisë dhe Besnik Sulajt në bashkëpunim me sindikatën e shitur. “Naftëtarë, IRTC ka ndërprerë kontratat e punës gjoja që në 18 dhjetor. (pala që e prish kontratën në mënyrë të njëanshme, shlyen të gjitha detyrimet që përmban kontrata) naftëtarë, Sindikata thotë: se nuk i paguan detyrimet e prapambetura, firma që e punon uzinën.
(Neni 138, pika 2 e detyron që t’i paguajë) naftëtarë Sindikata thotë se, kur të fitojmë gjyqet do ja dërgojmë shtetit për 15% që shteti ka në zotërim (pra, loja që këta hajdutë sot të na japin 15% të këtyre pagave). Naftëtarë, Beso Sulaj ishte hajduti që vodhi sigurimet e naftëtarëve të Rafinerisë së Fierit për periudhën që punoi UPN Fier. Vodhi 3 paga të korrik-gusht-shtator 2016 të naftëtarëve të uzinës së Ballshit dhe orët tepër. Naftëtarë, kur kjo firmë hajdute ka lekë për të blerë naftën pse na detyroi ne të shkonim në Tiranë në këmbë?
Sindikata e shitur thotë se ata kanë bërë protesta për pagat e çdo muaji, kur ata hajdutosindikatë fshiheshin kur vinte data e pagave.
Naftëtarë, IRTC e ka marrë Prokuroria dhe kërkon ta mbrojë Sindikata me gënjeshtra ndaj nesh. Naftëtarë të gjithë bashkë. Pa u dhënë pagat dhe sigurimet e prapambetura, uzina nuk do punojë. Hajdutët si Beso Sulaj nuk do shkelin kurrë në uzinë. Të gjithë naftëtarët bashkë”, shkruajnë naftëtarët në reagimin e tyre.
“Ne do të bllokojmë gjithçka nëse Beso Sulaj shkel në atë uzinë. Shteti do të na fusë në vëllavrasje. Shteti duhet të ndalë menjëherë këtë lojë të pistë që po na bën. Ne do të hedhim uzinën në erë, nëse ata që na shkelën dhe na shtypën si Beso Sulaj, vijnë sërish në uzinë. Kryeministri të japë zgjidhje jo vrasëse. Do të jetë përgjegjësia direkte e kryeministrit Rama për atë që do të ndodhë”, shkruajnë më tej naftëtarët.
Naftëtarët e Ballshit dhe të Fierit janë hedhur në protesta prej disa ditësh. Një ditë më parë ata kanë dalë përballë Prefekturës, duke protestuar për pagat. Protestuesit kërkojnë ndihmën e kryetarëve të bashkive Fier, Patos dhe Mallakastër. Pak ditë më parë, kompania IRTC braktisi rafineritë e përpunimit të naftës në Ballsh e Fier, duke lënë në ankth e pasiguri mbi 1200 punonjësit e dy uzinave.
Naftëtarët paralajmërojnë se do të nisin grevë përpara Kryeministrisë, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Gjithashtu, ata shprehen se nafta e ARMO-s vijon të shitet, por ata nuk po pranohen në punë, si dhe nuk u jepen rrogat. Në fund të muajit dhjetor, naftëtarët u nisën në këmbë nga Ballshi drejt Tiranës, ku pas disa orë protestash u pritën në takim nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe drejtori i ARMO-s, Besnik Sulaj. Atyre u premtua marrja e plotë e pagave, por ndonëse u kaloi një pjesë e tyre, pjesa tjetër dhe siguracionet nuk janë hedhur, çka tregon se dy ministrat nuk i janë përmbajtur fjalës së tyre.

1200 naftëtarë në mes të katër rrugëve

1200 naftëtarë të Ballshit dhe Fierit ndodhen në mes të katër rrugëve. Që nga dhjetori ndodhen të papunë. Kompania i ka nxjerrë të papunë me 60 për qind të pagës, por edhe kjo skemë nuk ka bazë ligjore. Naftëtarëve u është thënë gojarisht që do paguheni me 60 për qind të pagës.
Naftëtarët kanë 22 muaj pa sigurime shoqërore. Një pjesë e madhe e tyre janë në prag të pensionit dhe kur kanë shkuar pranë zyrës së Sigurimeve Shoqërore u është thënë që t’u drejtohen Gjykatës. Megjithëse detyrimin ligjor për Sigurimet Shoqërore e ka Ministria e Financave nëpërmjet Drejtorisë së Tatimeve. Naftëtarët e kanë fituar gjyqin, por nuk kanë fituar sigurimet.
Naftëtarët kanë shkuar tek Ministria e Punës po ju është thënë se kjo ministri nuk ekziston më, sepse është në rikonstruksion. “Ne kemi një kontratë me IRTC, por punëdhënësi nuk është paraqitur në punë që prej datës 12 dhjetor dhe punëtorët janë mes katër rrugëve. Ne kërkojmë që të zbatohet kontrata. Nëqoftëse drejtuesi i IRTC e ka mbyllur kontratën është detyruar që të zgjithë kontratën dhe të japë detyrimet ligjore. Për këtë, ne kërkojmë ndërhyrjen e shtetit që të zgjidhet kjo situatë”, shprehen naftëtarët.

R.POLISI