Ballina Sport Goretzka te Bayern Munich?

Goretzka te Bayern Munich?

Leon Goretzka mund të jetë në prag të një lëvizjeje te Bayern Munich, edhe pse është duke tërhequr interes nga e gjithë Europa. 22-vjeçari është duke hyrë në muajt e fundit të kontratës së tij me Schalke 04, diçka që ka kapur edhe vëmendjen e Arsenalit, Liverpool-it dhe madje të Barcelonës. Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, kohët e fundit deklaroi se një marrëveshje me Goretzka nuk kishte përfunduar. Megjithatë, 66-vjeçari vazhdoi të pretendonte se një veprim do të përfundonte “kur mjeku të thotë po”. “Shanset e nënshkrimit të Goretzka janë të mira, pohoi Hoeness, siç citohet nga ‘Funke Sport’. Nëse ai na bashkohet, kjo do të ishte e mirë. Sidoqoftë, ai nuk ka nënshkruar një kontratë me ne ende. Vetëm kur doktori të thotë po, atëherë transferimi është kryer”.
Goretzka ka qenë në formë të shkëlqyer këtë sezon, pas një dëmtimi të pësuar. Mesfushori dinamik ka shënuar katër gola në 11 paraqitjet e tij në Bundesliga për këtë sezon, duke pretenduar gjithashtu një asist në fitoren e “DFB-Pokal”. Golat e shkëlqyer të Goretzka në këtë sezon nuk janë kufizuar vetëm në Bundesliga. Ai ka gjashtë gola në 12 paraqitje me kombëtaren e parë gjermane, çka e ka “gozhduar” mesfushorin në planet e trajnerit Loachim Löw… për finalet e Kupës së Botës në Rusi, verën e këtij viti.

Milan mbyll merkaton e janarit

Merkatoja e dimrit për Milan nuk mund të sjellë asnjë futbollist të ri për trajnerin Gennaro Gattuso. Pavarësisht nga emrat e ndryshëm që janë lakuar në javët e fundit, si përforcime të mundshme të kuqezinjve, drejtuesit e klubit nuk kanë ndryshuar mendim: nuk do të ketë asnjë blerje dhe ekipi do të mbetet kështu si është aktualisht. Konfirmimi i radhës ka ardhur nëpërmjet një komunikate për shtyp, publikuar nga faqja zyrtare e AC Milan në internet.
Pas 20 ndeshjeve të para në Serie A, Milan ka grumbulluar 28 pikë dhe ndan vendin e tetë me pikë të barabarta me Udinese, Fiorentina dhe Torino.
“Pak fantazi nuk prish punë kurrë. Është pjesë e lojës, sidomos në ditët e merkatos. Por përkundër të gjitha hipotezave, klubi i Milan nuk parashikon asnjë blerje, por vetëm konsolidimin e të gjithë futbollistëve që kanë ardhur te skuadra jonë gjatë operacioneve të shumta që kemi bërë në verën e kaluar. Ruajmë bindjen në zgjidhjet që kemi bërë dhe do të vazhdojmë punën me futbollistë që kemi vënë në dispozicion të trajnerit, me synimin për t’u përmirësuar në pjesën e dytë të sezonit”, ishte komunikata e klubit shtatë herë kampion i Europës.

Chelsea kërkon mbrojtësin e AS Roma

Chelsea ka nisur të punojë për blerjen e mbrojtësit të majtë të Romës, Emerson Palmieri, sipas asaj që bën të ditur “London Evening Standard”. Antonio Conte është i vendosur të marrë një tjetër mëngjarash në skuadër, për t’i dhënë mundësi pushimi Marcos Alonso, titullari në krahun e majtë. Duke qenë se Juventus pretendon plot 60 milionë euro për Alex Sandro, atëherë drejtuesit “blu” kanë nisur të marrin në konsideratë alternativa të tjera.
Numri 33 i Romës ka luajtur vetëm 16 minuta në këtë edicion të Serie A, ndryshe nga vjet që luajti 25 ndeshje dhe kishte mesataren më të lartë të vlerësimit të ekipit verdhekuq, notën 7.3.
Alex Telles i Porto është një tjetër futbollist i preferuar nga Chelsea, por më parë ata do të presin përgjigjen e Romës për 20 milionë eurot që janë ofruar për Emerson. 23-vjeçari, i cili ka përfunduar edhe në “radarët” e Liverpool, sapo është rikthyer nga një dëmtim i rëndë që e ka mbajtur larg fushave që nga fundi i sezonit të kaluar. Emerson e ka humbur vendin e titullarit te Roma, i mbyllur nga Aleksandar Kolarov. Kjo i jep shpresë klubit të Chelsea…

Borusia Dortmund kërkon mesfushorin e Liverpool

Gjigantët gjermanë të Borussia Dortmund po planifikojnë të marrin mesfushorin e Liverpool, Emre Can, në momentin që kontrata e tij do të përfundojë në qershor 2018. Duke nisur nga ky muaj, në bazë të rregullit të FIFA, Can ka të drejtë të nisë negociata me klubet e tjera. 23-vjeçari ka pasur disa biseda me drejtuesit e Liverpool, por nuk është arritur marrëveshja për kontratën e re dhe ekzistojnë të gjitha gjasat që lojtari i lindur në Turqi, por që ka pasaportë gjermane, të largohet në verën e ardhshme.
Juventus dhe Manchester City janë lakuar disa herë si skuadra të interesuara për gjermanin, por dje “The Times” ka shkruar se Dortmund i është shtuar listës së ekipeve që duan shërbimet e tij. Borussia Dortmund e ka vënë si prioritet të merkatos blerjen e një mesfushori me tipare mbrojtëse dhe Can kompleton më së miri identikitin. Dortmund mund të bazohet edhe të marrëdhënia e shkëlqyer me Reza Fazeli, i cili është menaxheri i Can dhe i dy futbollistëve që janë aktualisht te “kanarinat”, Mahmoud Dahoud dhe Nuri Sahin.

Exit mobile version