Gazetari Tim Judah: Shërbimet sekrete serbe pas vrasjes së Ivanoviç

Gazetari britanik Tim Judah, që është njohës i zhvillimeve në Ballkan, ka thënë se qytetarët që jetojnë në Mitrovicë të Veriut besojnë që fajtorët e vrasjes së liderit serb, Oliver Ivanoviç janë në veri të Kosovës. “Çka kam kuptuar, duke biseduar me miqtë dhe kontaktet e mia është se njerëzit në Mitrovicë të Veriut besojnë se gjurmët e fajtorëve (të vrasjes së Oliver Ivanoviçit) çojnë kah Veriu, e jo kah Jugu”, shkroi Judah në Twitter të martën.
Ai tutje ka thënë se në Serbi vrasja e Ivanoviçit po krahasohet me vrasjen e gazetarit Slavko Curuvija në vitin 1999.
“Në Beograd po bëhen krahasime me vrasjen e vitit 1999 të (gazetarit) Slavko Curuvija me gjasë nga shërbimet serbe të sigurimit. Natyrisht, ende nuk ka asnjë dëshmi”, shkroi Judah.