Rama, duart tek SPAK, Prokuroria Antikorrupsion

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje vetëm me votat e mazhorancvës rregulloren për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nga ana e saj, opozita ngriti akuza në lidhje me antikushtetushmërinë e zgjedhjes së kryeprokurores si dhe faktit se, drejtësia po kapet nga ana e qeverisë Rama. Një ditë më parë, mazhoranca refuzoi propozimin e opozitës për të zgjidhur përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, krizën politike të krijuar pas zgjedhjes së Kryeprokurores së Përkohshme vetëm me votat e shumicës. “Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi në kurriz të Kushtetutës që kemi miratuar me vullnet të plotë me 140 vota”, tha Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve. Nga ana tjetër deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se, “me një shumicë të thjeshtë mazhoranca ktheu filtrat antikushtetues”. “Me 21 korrik 2016 pati marrëveshje me konsensus, me 140 vota dhe themeli ishte mos kapja e drejtësisë. Nuk i duhet shqiptarëve një drejtësi, sepse vuajnë nga një drejtësi të pa afte. Por, themeli është mos kapja e drejtësisë nga politika. Kjo ishte marrëveshja”, tha Bylykbashi. “Ju kujtohen ato vijat e Edi Ramës që u shuan njëra pas tjetrës. Ai (Rama) thoshte unë do ta kem shumicën. Por 21 korriku i dha përgjigje kësaj. 5 anëtarët jo gjyqësore dhe jo prokurorë. Gjëja më e rëndësishme është mos kapja e drejtësisë nga politika. 21 korriku ishte që Parlamenti të ishte vetëm vulosës. Ishte e drejta e çdo shqiptari për të kandiduar drejtpërdrejt në Kuvend, pa asnjë filtër. Po ta lexoni Kushtetutën nuk ka filtra përpara Kuvendit për kandidatët”, shtoi ai.

PS po bën presion për kapjen e anëtarëve prokurorë

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti Oerd Bylykbashi shpjegoi skemën se si Partia Socialiste po bëhet gati të vendosë nën kontroll politik institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nga ky institucion do të dalë kandidatura për Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të zgjidhet Prokuroria e Posaçme, SPAK, që ka për detyrë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Bylykbashi shpjegoi se, Partia Socialiste e ka shtrirë kapjen politike të KLP-së me 11 anëtarë në dy drejtime, duke kontrolluar 5 anëtarët joprokurorë që zgjedh Parlamenti dhe duke kontrolluar proçesin e zgjedhjes së 6 prokurorëve nëpërmjet presionit të Kryeprokurores së Përkohshme antikushtetuese. Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se, proçesi është korruptuar politikisht, që kur në ligj u vendosën filtra antikushtetues, që penguan konkurimin e lirë të juristëve avokatë, pedagogë dhe Shoqërisë Civile për 5 anëtarët joprokurorë. Oerd Bylykbashi kujtoi se, Gjykata Kushtetuese në shumicë 4 me 3, e cilësoi antikushtues filtrin e vendosur nga mazhoranca në ligj, por numri 5 për ta rrëzuar zyrtarisht nuk u arrit, sepse Partia Socialiste bllokoi plotësimin e dy vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese, duke mos e mbledhur asnjëherë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që bën renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. Deputeti Bylykbashi theksoi se, veprimet e Partisë Socialiste për kapjen politike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmuan me emërimin kundër përcaktimeve të Kushtetutës të Kryeprokurores së Përkohshme, nëpërmjet të cilës synojnë të kontrollojnë shumicën e 6 anëtarëve të tjerë prokurorë. Oerd Bylykbashi shpjegoi se, lëvizjet joligjore që Kryeprokuroja e Përkohshme antikushtetuese po bën në Prokurori, janë sinjali më i qartë i presionit ndaj prokurorëve. Bylykbashi tha se, në një sistem “de facto” të centralizuar, prokurorët nën presionin e lëvizjes nga vendi i punës do të votojnë sipas udhrave të një kryeprokuroreje politike, pa mandat, sepse është emëruar pa vetting dhe jo me 3/5-at. Deputeti Bylykbashi tha se me shumicën e KLP nën kontroll politik, qeveria nuk do të jetë e interesuar për konsensus në Parlament, por do të përcaktojë vetë se kush do të jetë Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kujt do të përbëhet Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Oerd Bylykbashi tha se, kapja politike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Edi Rama shpreh frikën e tij se një drejtësi e pakontrolluar prej tij do të përplaste pas hekurave të burgut anëtarët e qeverisë dhe kriminelët që kanë pas.