Berisha: Komuniteti arbëresh, krenari kombëtare

Ish-kryeministri Berisha në takimin me delegacionin e arbëreshëve që vizitoi Shqipërinë në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu vlerësoi lart kontributin e këtij komuniteti të shquar shqiptar ndër shekuj për gjuhën dhe kulturën shqiptare. “Në ditën kur shënohet 550-vjetori vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me qëndresën e tij legjendare, ka shënuar periudhën më të ndritur të historisë tonë, për të cilën të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, ndjehen krenar, dhe pjesë e kësaj krenarie kombëtare është padyshim edhe komuniteti arbëresh në Itali. Dhe sot pata kënaqësinë të prisja në një takim një grup arbëreshësh të Komunës së Chieuti, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Chieutit zoti Diego Iacono, zonjën Maria Chiara Castriota, përfaqësuese e familjes së Kastriotëve si dhe një numër profesorësh dhe personalitetesh arbëresh të kësaj komune që ndodhet në provincën e Puglias, të cilët vizitojnë Shqipërinë pikërisht në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duke i shprehur atyre një mirëseardhje të përzemert, shpreha gjithashtu mirënjohjen dhe vlerësimin për përpjekjet që ky komunitet ka bërë ndër shekuj për të mbajtur gjallë dhe ruajtur vlerat e këtij komuniteti, për të ruajtur gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare, të cilat përbëjnë një krenari jo vetëm për këtë komunitet, por dhe për kombin shqiptar. Arbëreshët kanë qenë faktor kryesor që kombi të zgjohej një komb me vokacion perëndimor. Tre janë shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar: gjuha, kultura dhe Heroi ynë Kombëtar Skënderbeu, vizionari i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar”, shprehet Berisha.