4 shqiptarë kapen me 10 mijë euro mallra të vjedhura në Itali

Katër shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane nën akuzën e vjedhjes dhe grabitjes së shtëpive. Në pranga përfunduan Kasem Stafa, 42 vjeç, me precedentë të mëparshëm, Krenar Xheli, 23 vjeç, Andi Xhiveshi, 21 vjeç, Renato Bajraktari, 28 vjeç.
Ata u arrestuan nga Policia në Giugliano me materiale të vjedhura gjatë natës së shkuar, ku grabitën banesën e një 44-vjeçari italian. Në një përpjekje për të ikur në bordin e makinës së tyre, një “Croma”, grupi i shqiptarëve ka sulmuar makinën e karabinierëve që qarkullonte në krah të kundërt me atë të tyren.
Pasi policia i ka ndaluar, njëri prej tyre (Krenar Xheli) ka tentuar të sulmojë me kaçavidë një prej karabinierëve, por u çarmatos menjëherë. Kërkimi i makinës çoi në zbulimin e pasurive të vjedhura, stoli dhe sende të tjera me vlerë 10 mijë euro si dhe tri pushkë gjuetie, të vjedhura në një banesë tjetër të një 63-vjeçari.
Pak më vonë, u zbulua se ishte grabitur edhe një banesë tjetër në San Tammaro në pronësi të një 54-vjeçari. E gjithë pasuria e vjedhur u është kthyer pronarëve. Të arrestuarit janë dërguar në paraburgim.